Me rastin e mbajtjes së Konferencës Shkencore “Lëvizja Kryeziu” në rrjedhat e Luftës së Dytë Botërore të mbajtur në Prishtinë në shtator të vitit 2006, në kuadër të muajit të kulturës Shqipëri-Kosovë, nën partronatin e dy kryeministrave prof. dr. Sali Berisha dhe gjeneral Agim Çeku, në intervistën dhënë gazetës Bota Sot, me dt.17.10. 2006. Kryetari i Shoqatës ”Libri Shqip”- në NJU-JORK të SHBA-ve, intelektuali atdhetar Gani Perolli në mes tjerash deklaroj:
Më pëlqen fakti se një fillim i mirë po bëhet me këtë konferencë. Por, për veprimtarinë atdhetare të Kryezinjve të Gjakovës, nuk mendoj se është thënë çdo gjë në këtë sesion shkencor. Duhet një punë akoma më e madhe e studiuesve dhe historianëve në kompletimin e veprës së tyre madhore dhënë luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar. Sidomos pjesa e relacioneve të Gani beg Kryeziut me britanikët duhet të studiohet edhe më shumë nga historianët tanë. Dhe unë besoj se në të ardhmen kjo do të ndodhë, të studiohet më seriozisht për faktin se koha e anatemave tanimë ka përfunduar.
”Bota Sot”: Cili është qëllimi i vizitës suaj në Kosovë?
Gani Perolli:Kam ardhur me ftesë të organizatorit të Sesionit Shkencor për “Lëvizjen Kryeziu”të organizuar nga Ministria e Kulturës në Kosovë dhe ajo e Shqipërisë. Megjithëse me vonesë mendoj se është bërë një punë e mirë në ndriçimin e veprës së vëllezërve Kryeziu, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh për unitetin kombëtar dhe çlirimin e vendit nga fashizmi.
“Bota Sot”: Lëvizja Kryeziu, ndonëse ka ekzistuar, vetëm tani është një kapitull i ri për historiografi- në shqiptare?
Gani Perolli: Historia e popullit shqiptar ashtu siç është mësuar sipas historianëve dhe historisë nacional-komuniste,ka zmadhuar së tepërmi rolin e LNÇ-së duke anatemuar kontributin e forcave djathtiste në luftë kundër nazifashistëve.H istoria e shkruar sipas ngjyrimeve politike dhe sistemit komunist krejt qëllimshëm është bazuar në burime të njëanshme duke dëmtuar njëkohësisht edhe historio-grafinë shqiptare në përgjithësi.
“Bota Sot”:Sa ka qenë e pranishme kjo lëvizje në kohën e okupimit të Shqipërisë dhe Kosovës nga fashizmi?
Gani Perolli: Influenca më e madhe e Lëvizjes Kryeziu fillimisht ka qenë në Dukagjin, por më vonë ajo është shtrirë edhe në krahinat e tjera të Shqipërisë .Vëllezërit Kryeziu kanë bashkëpunuar ngushtë me Muharrem Bajraktarin, Abas Kupin dhe Gjon Markagjonin: Që në fillim të vitit 1941, Gani Kryeziu kishte arritur të mblidhte rreth 4000 forca dhe kishte dhënë një kontribut të madh për çlirimin e Shqipërisë veriore nga fashizmi. Ai u kishte ofruar bashkëpunim edhe partizanëve të LNÇ-së, por nuk kishte pranuar asnjëherë të hynte nën komandën e tyre. Ndikimi i madh i familjes Kryeziu në Dukagjin dhe lidhjet e Gani Begut me misionin britanik ishin arsyet pse komunistët ishin shumë të interesuar që të shfrytëzojnë autoritetin dhe influencën e Kryezinjve por njëkohësisht edhe i kanë luftuar pas shpine, bile më shumë se fashistët.
“Bota Sot”:Sa ka qenë i pranishëm misioni britanik pranë trupave të Gani Begut dhe a janë studiuar sa dhe si duhet bashkëpunimi i tij me misionin anglez?
Gani Perolli: Fatkeqësisht jo, për arsye që përmenda ,por tash nuk duhet të ekzistojë ndonjë arsye tjetër që të ndriçohet roli i madh i Lëvizjes Kryeziu për çlirimin e vendit nga nazi-fashizmi. Shtypi britanik atë kohë shkruante se kjo lëvizje ishte shumë e fuqishme dhe se me iniciativën e Gani Begut shqiptarët kishin filluar të organizohen dhe t’i kundërvihen forcave të okupatorit. Për këtë qëllim ai kishte bërë thirrje bashkatdhetarëve të tij që të ndërpresin hasmëritë dhe gjakmarrjet dhe të bashkohen për çlirimin e vendit. Britanikët e shihnin rolin e Kryezinjve shumë të rëndësishëm në organizimin e luftës kundër nazi-fashizmit.
vijon