in

Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik

Mallkimi i betejës së huaj (10)

Qendra e paduruar kërkonte  rezultate. Komanda ishte e pakënaqur me punën e tij. Ua nxori nga lufta një togë ushtarësh, të cilët vraponin sa nga grupi i gërmuesve te grupi tjetër, duke mbikëqyrur punëtorët, të tjerët në mbrëmje bënin rojë në dy pika arkeologjike. Asnjë shenjë me peshë nuk e njoftoi në Vjenë.

Shqetësimin e tij ma tha të nesërmen. Ai nuk mund të kërkonte më shumë nga punëtorët, sepse nuk qe faji i tyre. Ata ishin mësuar me punë të rënda, kur i angazhonte ushtria austro-hungareze në hapjen e rrugëve, thyerjen e shkëmbinjve, kështu që të punonin me daltë apo kazmë në tehun e shkriftuar nuk i lodhte. Ajo që i mërziste ishte kujdesi në punë. Gërmimi kërkonte përqendrim, duhej vënë në veprim ca vegla të vogla, ndërsa shumica prej tyre nuk dinin të punonin me kujdesin e shtuar, derisa nuk nisnin britmat e austriakëve nevrikë. Punëtorëve asnjëherë të ushqyer si duhet, ushqimi i mensës ushtarake u pëlqente: dy racione në ditë, pushim në mesditë dhe një gotë fërnet në mbrëmje.

Udhëzimet e fundit të eprorëve nga Vjena i thoshin të thyente rregullat e gërmimeve: të kërkonte kryesoren, dëmtimet e vlenin po u gjet kryevarri. Përpiqej t’u kundërvihej urdhrave me monologun që e përsëriste shpesh: ai nuk do ta bënte këtë për asnjë çmim.

-Jam arkeolog, nuk jam aventurist italian apo anadollak që kërkonin flori a shenja mbretërore për muzetë e tyre, ose më keq për tregun e zi, – më thoshte mua, ndërsa mendonte në eprorët e vet, të cilëve sigurisht nuk u përgjigjej në këtë mënyrë.

 Punëtorëve sikur u ra intensiteti në punë, u ra kureshtja. Prisnin të gjenin gjëra të çmuara: flori e argjend. Por sa herë e fusnin kazmën më thellë, dilte ndonjë gur i nxirë, copë qeramike apo kockë e drobitur. Në fantazinë e secilit prej tyre, kjo ua përkëdhelte ëndrrat edhe udhëheqjes së ekipit. Për habi shefat entuziazmoheshin kur gjenin ndonjë shenjë hekuri a metali, që s’paraqiste asnjë vlerë për tregun e zi të qytetit, ku njerëzit e konsullatave blinin gjëra të tilla me para të thata. 

Sa më shumë i afroheshin qendrës së varrimit, murmurimat shtoheshin. Katedralja, apo ajo që kishte mbetur nga katedralja, dihej nga shumëkush. Për disa qe bërë faltore qysh kur s’mbahej në mend. Por i torturonte pasiguria, nëse prehej a jo trupi brenda. Legjenda aty e përcaktonte varrin e heroit të tyre. Fshehurazi në netët pa hënë luteshin, para këtyre rrënojave, i shtronin kërkesat e tyre, me shpresën se natën e ardhshme e ditëve në vijim do t’u jepej përgjigjja, do t’u plotësoheshin dëshirat. Kështu kishte qenë gjithmonë. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen përjetë e mot.

Thureshin legjenda për këtë varr, fliteshin mrekulli. Njerëzit e të dy besimeve, ata që ndërruan fe dhe ata që e mbajtën fenë e moçme, e shihnin me respekt. Kur nisën gërmimet, të gjithë luteshin që themeleve të katedrales të mos u afroheshin, varri të mos lëkundej, sepse do ta pësonin keq ata që do të vinin kazmat të parët, por edhe ata që jepnin urdhra. Legjenda rrëfente kohën kur erdhën turqit, mësyn katedralen, ua vunë kazmën varreve të vjetra, u sulën si të çartur drejt kështjellës së qytetit, ranë në lumë në kërkim të gjërave të çmuara. Pëshpëritej se të gjithë ata patën fund të frikshëm: e morën malin njëri pas tjetrit me kokën që e mbanin me duar të mos u pëlciste, të tjerët  ranë në fushëbetejë me dhimbje të tmerrshme, disa i goditi e liga në familje, u shuan fare.

Ata që rrëfenin, rrëqetheshin. Asgjë e mirë nuk i priste as ata që iu sulën më vonë kryevarrit për të rrëmbyer ndonjë gjësend me vlerë. Fatkëqijtë nuk u kthyen kurrë në shtëpitë e tyre. Goditja e ndëshkimit i kapte rrugës, dergjeshin në guva a gërxhe me trupin e bërë shosh nga plumbat e të shqyer nga ujqërit.      

#

Punëtorët e shkalafitur nga vapa gërmonin e shihnin njëri-tjetrin. Pushonin pak, shikonin diellin, pastaj kalimtarët e rastit, përgjonin ndonjërin që u thoshte në të kaluar: pse nuk i lini të vdekurit në paqe? Dikur punëtorët nisën të rralloheshin. Rrinin ata më të këputurit, që s’kishin ku të shkonin. Boshllëqet e krijuara, togeri  i plotësonte me jevgjit që i morën nga Podgorica për shtrimin e xhadesë.

Në mbrëmje kur shtrihej në tendën e fushimit, apo ditën kur shikonte nga hija e fikut, ushtaraku austriak përpiqej të konsultonte hartat e planimetrinë e kishës së bashku me terrenin përreth. Përpiqej të gjente objektet e ngjashme, sepse e brente dyshimi. Si do t’ia bënte po qëlluan dy vendvarrime: varri i gënjeshtërt e varri i vërtetë. Ku duhej ta kërkonte varrin e rremë e ku të  vërtetin? Nuk e kapte dot. Athua ishte aty ku gërmonte, pranë katedrales? Po në kështjellë? Katakombet e ruanin fshehtësinë  e varrit, por edhe fshehtësinë e rrugëtimit nëntokësor për të mashtruar armikun. “Fundja katakombet për këtë qëllim u bënë: të fshihnin diçka që ndëshkohej nga pushtuesi”, i tha vetes.  

Kur e hidhte shikimin nga kështjella, kodra i dukej si të qe stisur më vonë, pasi u krijua toka e qielli. Zoti pa se kishte lënë diçka mangu, prandaj hodhi ca gurë e dhe. Hartat topografike nuk e gënjenin. Megjithatë ato nuk i tregonin ku është varri kryesor. Profesori i pati thënë se duhej të konsultonte edhe arkivat shqiptare e turke. Nga Vjena ai nuk e dinte se arkivat shqiptare u zhdukën, nuk gjeti asgjë, i morën të tjerët para tij.

Një ditë iu kujtua zyrtari turk që e takoi në legatën austriake. Turqia vlonte nga kaosi. Dikur administratorët e kronistët e tyre mbanin shënime të sakta për Gadishullin. Çdo ekspeditë e sulltanit dhe e gjeneralëve të Portës, merrte me vete kronistë që të përjetësonin luftën. Prandaj, ia kërkoi atasheu turk ndonjë të dhënë të kohës. Nuk vonoi kur erdhi me një libër nën sqetull. Duke u drejtuar nga vendi i gërmimeve, ecte në majë të gishtërinjve. Pas përshëndetjes paksa të pazakonshme, togeri mori dhuratën e turkut me veshje alla franga. Ilustrimet miniaturale e provokuan që t’ia niste shfletimit në prani të atasheut. Por u kujtua ku ishte, mbylli kopertinat, duke falënderuar atasheun, i ofroi kafe terreni, por mysafiri e refuzoi me kujdes, sepse, siç tha, nxitonte. Arriti ta përgëzonte me një –“Mashallah, mashallah! Paskëshit bërë goxha punë!”  

Iku  ashtu si erdhi, si hije me një përkulje të thellë. Nuk i folëm asnjëherë njëri-tjetrit, madje as u përshëndetëm.

-Aleatët i keni të shkalafitur si këta punëtorë e molisur nga vapa,- ia thashë me ironi, duke menduar tek atasheu që u largua me temena.

-Ka perënduar koha e tyre, – ma ktheu me përbuzje, – nuk janë të zotët për asgjë. Në tërë operacionet, ata duhej të mbanin pikat strategjike të Grykës së Dardaneleve. Dhe megjithatë ua dorëzuan anglezëve, ashtu sikurse e dorëzuan Kostandinopojën. Pastaj, u tërhoqën nga lufta, sikur lufta të qe ballo, ku futesh e del si të vijë për mbarë.

– Ishin mizorë kur e kishin pushtetin, – nuk u përmbajta. – Për tmerr vjet masakruan mbi një milion armenë,-  i fola me pëshpërimë. Ai heshtte. Pastaj i fola për Galipolin -varrin e shqiptarëve.

–  Galipoli (Çanakala) ishte varri më i madh i ushtarëve shqiptarë të rekrutuar me dhunë e mashtrime në Luftën e Madhe, – ia nisa më pikëllim. Zëri nisi të më dridhej. Shikimi i tij më thoshte të vazhdoja, ndërsa unë përpiqesha të isha më i përmbajtur.

– Nuk e dija që edhe ushtarët tuaj morën pjesë në luftën e Galipolit, – më tha po aq i befasuar. – Domethënë ata ishin në anën tonë?

 –Morën pjesë dhe u vranë nga i pari tek i fundit, – ia përsërita si i përhumbur, – por nuk ishin në anën e askujt, ishin mish për top. –  Zëri më vinte si nga fundi i detit, atje ku i hodhën ushtarët e vrarë shqiptarë.

-Si u futën në luftë atëherë, sepse ju nuk u deklaruat për asnjërën aleancë.

 – Refugjatë shqiptarë që i braktisën vatrat e tyre nga masakrat serbe, kalonin javët e muajt nën qiellin e hapur, në djerrinat e Edrenesë. Autoritetet ushtarake turke nuk e patën vështirë t’i mobilizojnë. U thanë: serbët e rusët ia bëhen para Grykës së Dardaneleve, i frikësuan se do t’ua përdhunonin nënat e motrat para syve, po nuk e mbrojtën Çanakalanë. Burrave të frikësuar u dhanë armë e municion, pak ushqime dhe i futën në llogore. Asnjëri nuk doli gjallë. Vala tjetër e ushtarëve shqiptarë, që e plotësoi kontingjentin e shuar, erdhën nga shkretëtirat arabe. Ata nuk e kishin idenë për ngjarjet në atdheun e tyre, nuk e dinin se Turqia po shpartallohej, prandaj i futën në luftë pa u dhënë mundësi tjetër. Dhe u grinë nga plumbat e mortajat pa e marrë vesh as kundër kujt luftuan as pse luftuan. Turqia në aleancë me boshtin e krishterë (Austro-Hungari, Gjermani), luftonte kundër anglo-francezëve, po ashtu të krishterë, ndërsa turqve e popujve të tjerë që i kishin nën sundim, u thoshin se bëjnë luftë të shenjtë për islamin. Shqiptarët e mi luftuan e vdiqën kot, – i thashë me zemërplasje togerit austriak, pa qenë i sigurt nëse më kuptonte apo jo.

Nuk ia thashë se turqit kishin mëri të vjetra me shqiptarët. Asnjëherë nuk e harruan fyerjen që ua bëri Skënderbeu, as rezistencën e vazhdueshme kryeneçe gati deri në shfarosje të shqiptarëve. Prandaj,  “shehidet” e Çanakalasë qenë të mirëseardhur: në njërën anë u bënë mish për top, në anën tjetër u merrej haku për turqit e vrarë në Shqipëri.   

– Interesante qenka kjo betejë, – më tha togeri,- ushtria e Mbretërisë Britanike angazhoi ushtarët australianë, të cilët u vranë deri në një.

Instinktivisht nisa të shfletoja librin, që ma dha togeri, të qetësohesha nga pamjet e ushtarëve shqiptarë në Galipol. Më dhimbseshin edhe ushtarët australianë që ranë gërxheve. Druaja se do të rrëmbehesha ende me pësimet tona.

Kur nisa ta shfletoja librin, duart ende më dridheshin nga emocionet. Që në fillim më ra në sy periudha e nënvizuar. Ta ketë bërë për togerin, apo e dinte se libri do të më binte në dorë?

 “Të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë…. Arsyeja e kësaj në Shqipëri ishte se raca shqiptare është bërë e tillë që në karakterin e saj kanë hedhur rrënjë mosbindja, këmbëngulja, rebelimi e arroganca. …Ata derra qenë nënshtruar dhe kishin pranuar zinxhirin vetëm nga tmerri prej kordhës gjakderdhëse të Sovranit… Atëherë u dha urdhri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye, në çdo vendqëndrim sillnin para Sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatës, – fap-fap – i ekzekutonin…. Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tri mijë, katër mijë, shtatë mijë të pafe”.”Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra…” 

Kështu shkruante kronisti turk. Ishte trimëri të ekzekutoheshin robërit e lidhur me zinxhir? Një raport i tillë më pështiroste. Dy herë u mata ta fërfëlloja librin, ta bëja copë e grimë, por prapë e përmbaja vetën. Pesëqind vjet na ndante nga kjo masakër. Vazhdova ta shfletoja për arsyen që më interesonte, por kronisti i sulltanit nuk shkruante për asnjë zhvarrim. Ai fliste për qytetin e djegur, për banorët që e braktisën qytetin në tym e flakë. Tri ditët e ushtarëve krijuan rrëmujë. Qyteti vazhdonte të digjej. Kronisti nuk e thoshte nëse u bë ndonjë dhunim varri. Megjithatë jashtë kësaj kronike, varri i Gjergj Kastriotit thuhet se qe dhunuar, eshtrat e tij u përhapën, aty ku shkuan ushtarët në pushtime e plaçkitje.

Shkëputesha nga tmerri i qytetit që digjej, me klithmën e grave e fëmijëve, që e mbushnin ajrin me lemeri. I kthehesha kronikës së Barletit me bëmat e lavdishme, por me fundin e pikëlluar. Sikur t’ua mbushte mendjen kronika e Barletit, osmanët nuk do ta nisnin një ekspeditë zhvarrimi. Athua patën informacione të fshehta, ose shpresonin se varri nuk ishte prekur. Ishte varri më i rëndësishëm e më i ruajturi në mbretërinë e arbërorëve. Mund të besohet që ushtarët e leckosur ta kenë gjetur me të parën? Doja ta besoja se ata më parë se varrin duhet të kenë kërkuar flori, argjend e plaçka të tjera me vlerë.

 Nesër:  

Kronika e vitit 1478 pas Krishtit 

Lini një Përgjigje

Hovenier: SHBA-ja e shqetësuar për incidentin në Zveçan

PASHKËT E PËRGJAKUNA