Më 16 gusht 1915, u ekzekutua Qamil Zyber Xhameta, apo siç njihej gjërësisht, Haxhi Qamili, drejtues i lëvizjes fshatare të Shqipërisë së Mesme të viteve 1914-1915.
Qamili ishte nga fshati Sharrë i Tiranës dhe u bë figurë emblematike e pakënaqësisë popullore që buronte nga gjendja e vështirë në Shqipërinë e varfër pas shpalljes së Pavarësisë nga Perandoria Osmane. Haxhi Qamili dhe kryengritësit që ai udhëhiqte ishin kundërshtarë të vendosur të politikave pro-perëndimore të mbretit Wied (apo njohur ndryshe si Princ Vidi) dhe të qeverisë së Esat Pashës. Kryengritësit e shihnin zgjidhjen tek bashkimi pa kushte me Portën e Lartë, nga e cila Shqipëria sapo kishte shpallur pavarësinë. Ishte pikërisht ky rrebelim që shkaktoi largimin e Princ Vidit nga Shqipëria.
Meqë lëvizja kryengritëse haxhiqamiliste u bë pengesë për zhvillimin e vendit, qeveria arrestoi udhëheqësin e saj bashkë me një sërë mbështetësish. Thuhet se kur Haxhi Qamili mori lajmin se nëse ai nuk dorëzohej do të digjej fshati, rrebeli i lëvizjes fshatare është dorëzuar për të shpëtuar fshatin.
Xhelal bej Zogolli kryesoi gjyqin e kryengritësve, në përfundim të të cilit Haxhi Qamili dhe kryengritësit e tjerë haxhiqamilistë u dënuan me vdekje dhe u varën publikisht më 16 gusht 1915.