Forin Ofisit, pas kërkesës së tij, iu dërgua informata për Gani Kryeziun, në të cilën, ndër të tjera, shënohet:
«Kemi njoftime se Gani Bej Kryeziu tani është duke u mbajtur në burg nga forcat jugosllave në Prishtinë dhe jeta e tij mund të jetë në rrezik. […] Kryeziu ishte njëri ndër bashkëpunëtorët tanë të parë aktivë në Shqipëri […] Ai është njeri i mirë, i edukuar, ka udhëtuar shumë dhe ka qenë i respektuar nga të gjithë oficerët ndërlidhës britanikë të cilët kanë pasur kontakte me të.
Shkruan avokati Zanfir Kryeziu
Në sesionin shkencor të mbajtur në Prishtinë me dt.23.09.2006 në kuadrin e muajit të kulturës kombëtare shqipëri-Kosovë nën patronatin e kryeministrave Prof.dr.Sali Berisha dhe Gjeneral Agim Çeku në bashkëpunim me Shoqatën Intelektuale “Jakova”-Gjakovë në kumtesën e mbajtur “Përpjekjet e Qeverisë Angleze për t’i dalë në ndihmë Gani Kryeziut pas burgosjes dhe dënimit të tij” ish Ministri i Kulturës së Kosovës Prof.dr.Ymer Jaka kumtonë:
Pas okupimit të Shqipërisë nga Italia dhe Gjermania, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Lëvizja Kryeziu zhvilloi një veprimtari të dendur për çlirimin e trojeve shqiptare duke i bashkërenditur veprimet e saj me ato të koalicionit antifashist, posaçërisht me përfaqësuesit anglezë të këtij koalicioni.
Ndërkaq, derisa fuqitë e mëdha të koalicionit antifashist synonin fitoren mbi nazifashizmin, Lëvizja Kryeziu krahas kësaj fitore kishte si synim edhe zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare, çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare.
Radhitja e kësaj Lëvizjeje në anën e fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore ishte orientim i drejtë për të ardhmen e kombit tonë, mirëpo marrja e pushtetit në Shqipëri nga komunistët pas përfundimit të kësaj Lufte qe një fat i keq për Kosovën dhe viset e tjera shqiptare të cilat vazhduan të ngelnin jashtë kufijve të cunguar të shtetit shqiptar, të përvijuar në Konferencën e Londrës të vitit 1913.
Pikërisht ky dështim i përpjekjeve për bashkimin kombëtar qe fatal edhe për Lëvizjen Kryeziu. Prijësi i kësaj Lëvizjeje, Gani Kryeziu, ndonëse luftoi kundër italianëve dhe gjermanëve, në fund të vitit 1944 u burgos nga komunistët, u dënua me pretekst se kishte bashkëpunuar me gjermanët dhe nuk doli i gjallë nga burgu, ndërsa i vëllai, Hasani, bashkë me disa pjesëmarrës të rendësishëm të Lëvizjes Kryeziu, u vranë në fshatin Hereç të komunës së Deçanit në ditët e para të janarit të vitit 1945.
Gani Kryeziu u burgos më 28 dhjetor të vitit 1944 dhe u dërgua së pari në burgun e Prishtinës, ndërsa më vonë në një burg të Beogradit, ku u nxor para Gjykatës Ushtarake të Komandës së Qytetit të Beogradit, e cila me vendimin nr. 1884/45, të datës 27 tetor 1945, e dënoi me pesë vjet heqje lirie, me humbjen e të gjitha të drejtave politike dhe qytetare për dy vjet dhe me konfiskimin e tërë pasurisë personale.1
Nga një seri dokumentesh të ruajtura në Arkivin Kombëtar të Britanisë së Madhe në Londër,2 61 sish që i kemi pasur në dorë, të periudhës prej 6 qershorit të vitit 1944 deri më 17 nëntor të vitit 1948, dalin të dhëna me interes mbi bashkëpunimin e Lëvizjes Kryeziu me anglezët dhe mbi ndërhyrjet e organeve qeveritare britanike për t’i dalë në ndihmë Gani Kryeziut pas burgosjes dhe dënimit të tij nga Gjykata Ushtarake e Beogradit.3
Nga një dokument i kësaj serie del në pah qartë përse pushteti jugosllav e shkatërroi pa mëshirë Lëvizjen Kryeziu, e burgosi dhe e dënoi prijësin e saj, Gani Kryeziun, ndërsa të vëllain, Hasanin, bashkë me 22 bashkëluftëtarë të tyre, i masakroi. Në këtë dokument gjendet teksti i deklaratës së Gani Kryeziut për popullin e Kosovës:
«Ju keni qenë të udhëhequr gabimisht nga prijësit që ju kanë thënë se Hitleri dhe Musolini janë miq të Shqipërisë dhe se Qeveria e Tiranës ka punuar me pëlqimin e aleatëve tanë. Gjermanët e kanë shpallur Shqipërinë të pavarur, por si mund të jetë ajo e këtillë kur qeveriset nga gjermanët? Miqtë tanë janë aleatët dhe e vetmja mënyrë që ta kemi përkrahjen e tyre është të luftojmë tani. Në asnjë mënyrë tjetër nuk mund të shpresojmë ta fitojmë pavarësinë në të ardhmen dhe ta përfshijmë Kosovën në Shqipëri. Le të bashkohemi pavarësisht nga partia, fisi ose feja, le t’i tregojmë botës se ne e dëshirojmë pavarësinë duke u ndihmuar aleatëve t’i luftojmë ato shtete që dëshirojnë t’i sundojnë shtetet e vogla».4
Pra, për shkak të synimit të Lëvizjes Kryeziu që Kosova të çlirohet një herë e përgjithmonë nga sundimi serb, qëndrim ky që ishte i theksuar edhe në Rezolutën e Bujanit, ku shprehimisht thuhet se për Kosovën do të vendoste në referndum vetë populli i saj pas përfundimit të Luftës, komunistët jugosllavë e shkatërruan pa mëshirë Lëvizjen Kryeziu.
Më vonë, në kohën kur Gani Kryeziu mbahej në burgun e Prishtinës s’bashku me nipinë e tij Dervish Kryeziun, luftëtar kundër pushtuesve nazi-fashist nga ditët e para të pushtimit, pas telegramit të dërguar nga Bari në Shtabin Kryesor të forcave aleate në Kazerta të Italisë, Zyra Qendrore e Rezident Ministrit në Kazerta e njofton Ministrinë e Punëve të Jashtme, Forin Ofisin (Foreign Office),4a në Londër:
«Me pikëpamjen e nxjerrë nga fakti se ky shqiptar në vazhdimësi luftoi kundër gjermanëve në rajonin e Kosovës dhe me vendosmëri punoi në anën tonë, brigadieri Hoxhson (Hodgson) porosit me këmbëngulje që madhëria e tij ambasadori në Beograd […] duhet të ndërhyjë në interes të Gani Kryeziut».5
Pas këtij njoftimi për burgosjen e Gani Kryeziut, ndërmjet Zyrës Qendrore të Rezident Ministrit në Kazerta, Forin Ofisit dhe ambasadës së Britanisë së Madhe në Beograd u këmbyen disa telegrame dhe letra.
Forin Ofisit, pas kërkesës së tij, iu dërgua informata për Gani Kryeziun, në të cilën, ndër të tjera, shënohet:
«Kemi njoftime se Gani Bej Kryeziu tani është duke u mbajtur në burg nga forcat jugosllave në Prishtinë dhe jeta e tij mund të jetë në rrezik. […] Kryeziu ishte njëri ndër bashkëpunëtorët tanë të parë aktivë në Shqipëri […] Ai është njeri i mirë, i edukuar, ka udhëtuar shumë dhe ka qenë i respektuar nga të gjithë oficerët ndërlidhës britanikë të cilët kanë pasur kontakte me të. Gjatë rrethanave të vështira ai u tregua ithtar i sinqertë i Britanisë dhe në vendin e tij është figurë kombëtare. […] Obligimi ynë ndaj Kryeziut është i padiskutueshëm, posaçërisht në situatën e tanishme. […] Për shkak të së kaluarës së tij, shpresojmë se do të jetë e mundshme ta nxjerrim Kryeziun nga pozita e tij e palakmueshme».6
Lidhur me propozimin e brigadierit Hoxhson7 që ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd të ndërhyjë për mbrojtjen e Gani Kryeziut, ky i fundit në telegramin e tij dërguar Forin Ofisit shkruan: «Unë mendoj se ne duhet të përpiqemi ta sigurojmë lirimin e Kryeziut. Nëse ju nuk keni ndonjë kundërshtim, unë do të ngre këtë çështje personalisht te Titoja pas kthimit të tij nga Moska. Mendoj se qeveria jugosllave është e gatshme ta lirojë Kryeziun, por nuk dëshiron që ai të qëndrojë në Jugosllavi, prandaj pa dyshim ne kemi detyrim t’i japim atij azil diku tjetër. A pajtoheni ju?»8
Forin Ofisi i përgjigjet ambasadorit në Beograd se pajtohet që Gani Kryeziut t’i sigurohet azili, me arsyetimin se «raportet janë të njëzëshme që Kryeziu ka bërë shërbime të çmueshme në të kaluarën» duke shtuar se «kjo pyetje nuk duhet të shtrohet deri sa ta kuptojmë reagimin e Titos».9
Gjashtë ditë më vonë ambasadori Stivenson (Stevenson) e lajmëron Forin Ofisin: «Unë e ngrita çështjen e burgosjes së Kryeziut me mareshalin Tito sot në mëngjes duke ia lënë atij memorandumin me kërkesën për arsyet e burgosjes së Kryeziut dhe duke theksuar faktin se ne jemi të interesuar për fatin e tij. Mareshali Tito u shpreh se nuk kishte kurrfarë dijenije për këtë çështje. Ai premtoi se menjëherë do të bënte hetime, rezultatet e të cilave do të m’i komunikojë mua».10 Në telegramin vijues dërguar Forin Ofisit ambasadori Stivenson njofton se nga Titoja kishte marrë përgjigje që ai ishte njoftuar se «Gani Kryeziu ishte i akuzuar për bashkëpunim me gjermanët».11
Nga një letër dërguar Forin Ofisit nga Zyra Qendrore e Rezident Ministrit në Kazerta e datës 30 maj 1945 del se në këtë kohë Gani Kryeziu gjendej në burg në Beograd.12
Pas një telegrami të Forin Ofisit në të cilin për Gani Kryeziun shtrohet pyetja: «A është bërë ndonjë përparim tjetër»,13 ambasadori Stivenson përgjigjet: «Unë i kam dërguar tri njoftime Qeverisë Jugosllave për këtë çështje. Zëvendës sekretari i shtetit të Punëve të Jashtme pohoi se Kryeziu gjendet në burg dhe shtoi se ai si kosovar teknikisht është shtetas jugosllav».14
Nga një telegram i mëvonshëm i ambasadorit bitanik mësojmë se ai për çështjen e Gani Kryeziut kishte biseduar edhe me Dr. Ivan Shubashiqin, ministër i Punëve të Jashtme, i cili kishte deklaruar se «Qeveria jugosllave e shikon këtë çështje si plotësisht të brendshme. Gani Kryeziu është shtetas jugosllav dhe në këto rrethana është vështirë për Qeverinë jugosllave të lejojë që një qeveri e jashtme të ketë ndonjë të drejtë të ndërhyjë».15
Në një telegram të Forin Ofisit dërguar ambasadës britanike në Beograd thuhet: «Pajtohem që hapësira për ndërhyrjen tonë është e kufizuar, por unë nuk dëshiroj të heq dorë nga çështja Kryeziu pa bërë përpjekje të mëtejme në interes të tij. Nëse nuk keni asgjë kundër, ju do të duhet të vazhdoni të bisedoni me doktor Shubashiqin. […] Ne nuk mund të qëndrojmë mospërfillës për fatin e tij, meqë nuk e kemi zakon t’i braktisim shokët tanë.»16
Në përgjigjen e tij Forin Ofisit, ambasadori Stivenson njofton se kishte biseduar me Dr. Shubashiqin për çështjen e Gani Kryeziut,17 ndërsa më vonë i kishte dërguar letër Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë me kërkesën që të njoftohej për «ndonjë zhvillim të mëtejmë në çështjen e Gani Kryeziut».18
Pas telegramit të Said Kryeziut, dërguar minitrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Ernest Bevinit (Ernest Bevin) dhe majorit S. E. Vatraus (S. E. Watrous) për rrezikun që i kërcënohej të vëllait të dënohej me vdekje dhe kërkesës që të ndërhynin për shpëtimin e tij,19 Forin Ofisi e njoftoi ambasadën britanike në Beograd se «Kryeziu mund të jetë në rrezik të pashmagshëm të dënohet me vdekje duke u mbështetur në akuza të kurdisura. Ju lutem të hetoni urgjentisht».20
Në përgjigjen drejtuar Forin Ofisit sekretari i parë i Ambasadës britanike në Beograd, F. U. Dikin (F. W. Deakin), shkruan: «Ganiu nuk do të dënohet me vdekje. Kam theksuar se kërkoj hollësitë e akuzës kundër tij. […] Në qoftë se përgjigjja nuk është e “kënaqshme”, pajtohem se kësaj çështjeje duhet t’i jepet publicitet dhe propozoj, nëse pajtoheni ta informojmë korrespondentin e Dejli Telegrafit (Daily Telegraph) këtu».21
Vijon nesër