(Një paraqitje e guximshme me pak fjalë e mentalitetit të sotshëm serb, por dhe një shembull nga historiania tashmë e ndjerë serbe se si duhet parë me guxim në mënyrë kritike kombin vetanak!)
Historiania Latinka Peroviq thotë se rezistenca ndaj liberalizimit, shtetit modern, botës moderne përfaqëson vazhdimësi në Serbi, sikurse vazhdimësi përfaqëson edhe “mentaliteti i cubit”.“Këtë e interpretoj me faktin se shoqëria serbe ishte një shoqëri agrare në historinë e saj të re, se fshatari jetonte në një pronë të vogël – siç kanë shkruar udhëpërshkruesit e huaj në shekullin e 19-të – që është një pronë e tillë që as nuk mund të jetosh prej saj, por as nuk mund të vdesësh. Së dyti, është kjo shoqëri cubash, një mentalitet për të përvetësuar shpejt – përmes grabitjes, dhunës, vrasjeve, krimeve të tmerrshme – nga ai që ka diçka më shumë se ju. Aty shihet lidhja e ngushtë mes politikës, gjyqësorit, prokurorisë, gjithë sistemit që merr pjesë në atë rrjet cubnie përvetësimi. Mendoj se ai mentalitet ka mbetur. Cubat kanë vënë kravatë, kanë veshur uniforma ushtarake, rroba priftërore… Por ata mbetën të njëjtë: të dhunshëm, arrogantë, brutalë. Më tutje, është kjo një shoqëri luftëtare, gjë që harrohet”, tha Latinka Peroviq në emisionin autorial “Kartoni i kuq” të shkrimtarit Svetislav Basara në TV Kurir.
Sipas saj, Partia Radikale i lidhi me vete masat fshatare në fund të shekullit të 19-të: u dha atyre karta anëtarësimi, ua dha ideologjinë dhe tashmë në fund të shekullit të 19-të, radikalizmi u bë një lloj i ri feje, një besim i ri: Serbia, çlirimi, bashkimi i popullit të cilit çdo gjë duhet t’i nënshtrohet.
“Dhe nga kjo vjen një lloj magjepsjeje perandorake. Prej këtu vjen lidhja e madhe me Rusinë ortodokse, sepse Pashiqi kur korrespondonte me qarqet zyrtare ruse, thoshte: bota ortodokse, bota sllave është e lidhur me Rusinë si qendër dhe pas Rusisë është Serbia. Është kjo imagjinata dhe humbja e ndjenjës së masës: gjithmonë dëshiron më shumë se sa mundesh, e as nuk bën atë që është e mundur”, tha Latinka Peroviq.
Ajo deklaroi se pas Luftës së Parë Botërore, koncepti serb për shtetin ishte që Jugosllavia të shikohej si një Serbi e zgjeruar, ndërsa sllovenët dhe kroatët e shikonin Jugosllavinë si një komunitet të popujve të ndryshëm, të cilët kanë të drejtën e identitetit të tyre, historisë. …“Ai koncept serb ka ekzistuar që në fillim dhe në Partinë Komuniste, në vitet 20 të shekullit të 20-të dhe kështu ka mbetur deri në fund”, tha Latinka Peroviq.
Sipas saj, Dobrica Qosiq shpalli luftëra dhe kthimin e Serbisë në shekullin e 19-të në vitin 1968, për të korrigjuar “gabimet”.
“Ai thotë: do të hyjmë në luftë me kroatët, me myslimanët dhe me shqiptarët. Dhe kështu ndodhi”, ka thënë Latinka Peroviq.