in

"Çmitizimi" i Skënderbeu!

Nurie Emrullai, 

autorja mori çmimin “Kadare” 2023 

Kur diçka ka të bëjë me popullin apo me politikën, më vjen gjithmonë ndërmend thënia e famshme në “Shakanë” e Kunderës: “Optimizmi është opiumi i popullit.” Kjo frazë ka diçka të “rrezikshme” brenda vetes, që të hedh menjëherë diku tjetër. Por, përkundër asaj që kjo shprehje mund të interpretohet në variacione të ndryshme, qëllimi i përdorimit të saj është për diçka krejtësisht tjetër. Për t’jua bërë të qartë se shkrimi që do të lexoni nuk ka të bëjë aspak me optimizëm, e që mund të lërë përshtypjen sikur është edhe i mbufatur.

Tej mase reflektuese vepra të cilën jam duke e lexuar, Mosmarrëveshja nga Ismail Kadare. E shtyrë nga situata nëpër të cilën kalojmë, dhe kjo nuk është një gjendje e përkohshme, le të themi mujore, por është prej çastit kur mësova se ne shqiptarët në Maqedoninë së Veriut rrethohemi me atdheun tonë me kufij imagjinarë. Apo më mirë, qysh prej se isha filloriste. Duke kaluar vitet, duke u rritur kufijtë… Andaj, gjykoj se fjalët këtu s’do të jenë të tepërta, por të pamjaftueshme.

Ne sikur shtyhemi për të pësuar një amnezi historike, e cila domosdo që do të përcillet me amnezinë gjuhësore, ndërkaq goditja më e madhe e një populli është gjuha.

Kadare në një paragraf të tij hedh pyetjen se në çfarë gjuhe Skënderbeu ua tha frazën e famshme: “Lirinë s’jua solla unë, atë e gjeta midis jush.” Ai thotë se këtë gjë nuk e thekson asnjë kronikë e kronistëve që shkruan për të. Prandaj, mbetet diçka për t’u hamendësuar.

Por, duke mësuar se Skënderbeu kishte një përgatitje intelektuale dhe njihte shumë gjuhë e shumë dialekte, atëherë lind një dyshim se ai duhet të ketë pasur një kujtesë të freskët edhe për gjuhën, siç e kishte për vendin e tij e për malet e Arbrit. Look at any luck is usually a chop game pokies online.

Atëherë, duke e lidhur fjalën liri, në mos të gjitha fjalët, me popullin ilir, ai duhet ta ketë thënë në shqip. Fjala liri nuk ka më shumë kuptim në asnjë gjuhë të botës se sa në shqipen tonë.

Skënderbeu nuk ishte vetëm një prijës, një kryezot apo një gjeneral, ai ishte një qenie politike, i cili u bë shpëtimtari jo vetëm i Shqipërisë, por i gjithë Evropës. Ai doli përballë një dinastie aq të fuqishme dhe ia doli mbanë.

E sot? Sot duke ditur dhe njohur rrënjët tona, si bëhet që gjithë bëmat e tij bien në vesh të shurdhët. Që sikur kemi turpin që të flasim për këto tema, sepse u paska kaluar koha, se duhet parë të ardhmen…

Por, si mund të vrapojë një njeri nëse në fillim nuk mësohet se si të ecë.

Përpjekja për të çmitizuar vlerën që kemi si popull, gjithsesi se nuk na vjen nga vetja, por nga lejimi që i bëhet “tjetrit”, të na mësojë se kush jemi.

Nuk kemi pasqyrë më të qartë për ta parë veten se sa figurat e ndritura të kombit.

Nëse fjala e ndritur sot është bërë mjaft e dëgjuar dhe ka filluar të shndërrohet në klishe, zëvendësojnë me fjalën Shpëtimtarë të popullit.

Diçka që më bëri të reflektoj është kur Kadare thotë se “të tjerët” na kanë bërë të mendojmë se nuk duhet të krenohemi aq shumë me Skënderbeun apo me Nënën Terezë, që nuk duhet përmendur aq fort nëpër manifestime e ndodhi tonat, sepse shquhet si shenjë e “kombëtarizimit të sëmurë”.

Megjithatë, ne s’duhet të mendojmë se është e tepërt të flasësh për Skënderbeun. Në fakt do të thoja se duhet përsëritur misioni i Rilindësve tanë. Sa më shpesh duhet ta përsërisim në vete e me veten: Kush ishim dhe kush duam të jemi?

Duke pasur si model njerëz të cilët janë shndërruar në kulte, të cilët ishin misionarë dhe ndërruan historinë e popullit tonë dhe të krejt botës, vjen natyrshëm konstatimi: epo ne shqiptarët vlejmë! Po, ne shqiptarët kemi zemër të madhe dhe kemi shpirt të ndritur.

Nëpër venat tona qarkullon gjak i pastër për të cilin duhet të jemi të kthjellët, që ta ruajmë e t’i dalim zot.

Unë jam një prej atyre albanologëve të rinj, që mendoj se kemi të drejtën për të njohur dhe dashur atë çka është e jona më fort se çdo gjë tjetër.

Kthjelltësinë duhet ta ruajmë, ndërkaq historinë, ta mbrojmë, në rrethanat e realitetit.

Vërtet po flasim për një periudhë të largët kohore, por nuk është e largët në mendësinë tonë. Shenjat për të dashur që ne të harrojmë i gjejmë tek-tuk, pa hyrë në thellësi.

“Për çmitizuesit, mania për t’u krenuar me një personazh planetar, ishte shenjë e kombëtarizimit të sëmurë për çdo popull, e aq më tepër për shqiptarët…”

Nëse aq shumë ne kemi ndërhyrje nga të tjerët për të harruar, si kemi krijuar bindjen se problemi është midis nesh.

Nëse ne duam veten, dhe ruajmë të pastër historinë tonë, brezat që vijnë më pas, do ta kenë më lehtë për të hequr kufijtë imagjinarë që na janë ngulur në kujtesën tonë kolektive.

S’jemi të largët, jemi një trung, jemi rrënjë të përdredhura në thellësinë e tokës aty ku pastër rrjedhin emrat: Ilir, Teutë, Agron, Skënderbe, Gonxhe, Bardhyl, Barlet, Buzuk, Matrëngë, Kanun…

Ne kemi një histori kaq të bollshme, që bën që t’u humbasë vlera dhe të bien poshtë të gjitha thirrjet për përçarje a zhbërje.

Asgjë nuk është më e vlefshme se një popull me ideal, me mendje të kthjellët, e që kthen kokën pas, për të mos harruar kurrë të shkuarën e tij.

Lini një Përgjigje

Sot 42 vjetori nga vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës

A mund të dështoj plani Putin – Trump, për një Rend të Ri Botëror?