in

“Çfarë ndodhi 557 vite më parë në Kështjellën e Kepit të Rodonit”?!

Kepi i Rodonit

Nga: Paulin Zefi.

Më 3 gusht të vitit 1467, një nip i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, djali i së motrës, që u la në vend nga sulltan Mehmeti II Fatih si masë sigurie gjatë procesit të tërheqjes së tij drejt Stambollit dhe që u vendos në Kepin e Rodonit, u sulmua gjatë natës prej anijeve veneciane nga deti dhe prej Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nga toka dhe më pas iu pre koka nga ky i fundit në anijen e admiralit të flotës veneciane.

Dinamika e zhvillimit të kësaj ngjarjeje jepet e zgjeruar në një dokument të njohur si “Cronaca Zeno (Kronika Zeno)”, që është publikuar e riprodhuar nga N.Jorga (1) dhe më vonë nga J.Radoniç (2). Nga dokumenti në fjalë, mësojmë se kur sulltan Mehmeti II Fatih u largua me turp nga qyteti i Krujës, la aty pranë vetëm një ushtri të vogël prej 1.300 kalorësish të zgjedhur nën komandën e një nipi renegat të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili u tërhoq në kështjellën e Kepit të Rodonit. Nipi tradhtar u sulmua dhe ushtria e tij u shpartallua plotësisht pas një aksioni të përbashkët që u zhvillua nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe luftanijet e flotës veneciane. Gjatë këtij sulmi të koordinuar nga toka dhe nga deti, kalorësit osmanë u vranë të gjithë pa përjashtim dhe ndërsa nipi tradhtar, me shpresën se do t’i kursehej jeta, vendosi të dorëzohej tek venecianët, duke kërkuar mëshirë. Mirëpo, daja i tij, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, që nuk mund t’ia falte kurrë tradhtinë dhe vuajtjet që nipi i kishte shkaktuar popullit arbër, duke shpërfillur autoritetin e admiralit të flotës veneciane, ia preu kokën me duart e veta pikërisht në bashin e luftanijes së këtij të fundit.

 Pas kësaj ngjarjeje, Arbnori i Madh rivendosi kontrollin e plotë mbi pjesën më të madhe të zotërimeve të veta dhe ndërsa, Mehmeti II Fatih, i mbuluar me turp dhe i hidhëruar nga dy fushatat e mëdha sulltanore, që udhëhoqi në Arbëri (1466-1467), humbi çdo shpresë për ta pushtuar këtë vend për aq kohë sa do të ishte gjallë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Përsa i përket këtij nipi tradhtar, që u vra nga Kryeheroi në anijen e admiralit të flotës veneciane, mendohet se ishte njëri nga djemtë e Mamica Kastriotit, por nuk mund të thuhet me siguri nëse bëhet fjalë për djalin e madh, Reposh Topia, që ishte martuar me Irena Rallainën në vitin 1464, apo për ndonjërin prej tre bijve të tjerë! 

Gjon Muzaka në “Memorien e tij”, thotë se Mamica Kastrioti dhe Muzakë Topia kishin “katër djem dhe dy vajza” dhe shton se “djemtë u kthyen në turq (3),” d.m.th. në myslimanë. Duhet të theksoj se 12 vite më herët, bashkëshorti i Mamicës dhe i ati i këtyre djemve, fatkeqi Muzak Topia, ishte vrarë nga turqit në “Tragjedinë e Beratit” më 26 korrik 1455. Kufoma e tij nuk u gjet askund, sepse turqit e kishin copëtuar e hedhur në të katër anët dhe në këtë mënyrë mbetjet e tij ishin shpërndarë dhe humbur. 

Se çfarë i ka shtyrë të bijtë e të ndjerit për të shkelur mbi gjakun e tij dhe për të kaluar në anën e vrasësve, kjo nuk dihet me siguri, por disa autorë supozojnë se renegati Ballaban Pashë Badera kishte arritur t’i rekrutonte gjatë kohës kur e ëma ndodhej në Castel Sant’Angelo dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu gjendej në Romë dhe në Napoli, duke kërkuar ndihma për të çliruar Krujën nga rrethimi i dytë! Madje thuhet se njëri prej djemve të Muzak Topisë dhe Mamica Kastriotit ishte martuar me të bijën e Ballabanit. Cilatdo qofshin motivet, që i kanë shtyrë ata drejt tradhtisë, ajo që mund të thuhet me siguri të plotë është se njëri prej tyre mori dënimin e merituar dhe pikërisht nga duart e atij, të cilin e kishte lënduar më shumë se këdo tjetër!

BIBLIOGRAFIA:1) N.Jorga, Notes et extraits pour servir à l’histoire des Croisades au Moyem-âge, Vol. IV (1453-1476), Bucarest: 1915, f. 213.

2) Јован Радонић, Ђурађ Кастриот Скендербег и Арбанија у XV веку, (историска грађа), Споменик XCV, Други разеред, 74, Београд: Српскa краљевскa академијa, 1942, f. 205, Doc. Nr. 377.

3) Giovanni Musachi, Breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi, në: C.Hopf, Chroniques gréco-romanes inédites peu connues, Berlin, 1873, f. 298.

U filmua duke goditur një qytetar, pezullohet Drejtori i Policisë Rrugore

Osmani sot në Kroaci me ftesë të Millanoviqit