in

Botim i UET PRESS/ “Lufta e Pengjeve” e Gani Mehmetaj dhe Ballkani, peng i luftërave

Shkruan: Suadela Balliu, kreredaktore e UET PRESS, Tiranë

“Lufta e Pengjeve” romani i tij më i fundit, botuar nga UET PRESS është një përpjekje për të rrëfyer, gërmuar e ngacmuar kore plagësh që shkojnë larg në kohë…më larg se përpjekjet e Kosovës për mëvetësi, më larg se gjenocidet dhe spastrimet etnike ndaj shqiptarëve, e madje edhe më larg se projekti i shtetit federativ të Jugosllavisë.

Tensionet në veri të Kosovës janë kambana që trand se asgjë nuk është e qetë nga fronti i Ballkanit.Janë të thella plagët dhe gjashtëmbëdhjetë vjet shtet i pavarur e procese dialogësh të ngecura në tryeza ndërkombëtare.

Gani Mehmetaj e di mirë dhe përmes penës së tij letrare rreket të flasë për mundimet e moskuptimet e gadishullit.

“Lufta e Pengjeve” romani i tij më i fundit, botuar nga UET PRESS është një përpjekje për të rrëfyer, gërmuar e ngacmuar kore plagësh që shkojnë larg në kohë…më larg se përpjekjet e Kosovës për mëvetësi, më larg se gjenocidet dhe spastrimet etnike ndaj shqiptarëve, e madje edhe më larg se projekti i shtetit federativ të Jugosllavisë.

Ngjarjet në roman lëvizin ndërsa federata jugosllave nis të shkërmoqet e luftërat në Ballkan të rindizen. Ata që rrëfejnë janë tetë ushtarë, prej tetë kombësive të ndryshme, të veshur me një uniformë, atë jugosllave. Siç shkruan autori, ata janë para mëdyshjeve halmetiane: të luftojnë për një shtet që po merr rrokullimën, apo të dorëzohen? Ata nuk mendojnë njëjtë, nuk e ndiejnë njësoj luftën, por kanë fat të përbashkët…

Për të dekriptuar armiqësitë mes kombeve – ata të mbledhur nën një çati pa themele të federatës socialiste – shkrimtarit i duhet të shkojë mijëra vite në kohë, atëherë kur gadishulli quhej Iliri.

Ilirjan Nikaj, e ka pagëzuar protagonistin, njërin prej të tetëve, që siç shokët e brigadës alpine, e kanë dërguar me pahir në luftën me armik të paqartë, në kazermën prapa diellit.

Ata janë pengje. Pengje të besëtytnive, të frikës, moskuptimit dhe urrejtjes për tjetrin, për fqinjin.

***

Armiku nuk dukej askund. I mpirë, mendoja: Ç’kërkoj në këtë humbëtirë? Kë mbroj dhe kundër kujt luftoj? Si shumica e ushtarëve, isha i huaj, në ushtri të huaj dhe në vend të huaj.

***

Në kazermën prapa diellit nuk ndodh asgjë e njëherazi ndodh gjithçka. Armiqësitë shpalosen, ashtu si edhe ushtrimit të pushtetit dhe dhunës, nën divizë, të një kombi. Gjuha e Gani Mehmetaj është pamore. Kjo edhe për meritë të përvojës së tij si kineast. Përshkrimet e gjalla ia bëjnë të lehtë lexuesit ta ndërtojë sfondin e të ngrejë skenën, ku luhet drama e tetë djemve të thjeshtë të harruar aty jo prej ndonjë zoti idhnak pagan, porse prej zotave të luftërave moderne, që luajnë fate popujsh të tërë. Libri është brumë i mirë për skenarin e një filmi, ndoshta në projektet e ardhshme të zotit Mehmetaj, i cili ka shërbyer për vite edhe si drejtor i “Kosova Film”.

Zhvillimi dramatik i romanit të krijon përshtypjen se autori e ka ndarë enkas në dy pjesë të rëndësishme. Tetë personazhet e tij nuk janë të rastësishëm. Autori, arkitekt i veprës, i ka zgjedhur si arketipe të popujve të Ballkanit. Një ushtar, një përfaqësues i një psikologjie të tërë të kombit nga vjen. Gjuha e zgjedhur është e thjeshtë dhe është ajo thjeshtësi që nxjerr në dritë, shtresë pas shtrese, historinë e gadishullit dhe famën e tij si fuçi baruti në mes të Europës.

Trillit letrar nuk i mungojnë faktet historike, që Mehmetaj i shpalos me saktësinë e një kronikani e po ashtu vjen i pasuruar me folklor. Gojëdhëna, këngë e rapsodi për heronj që shquhen dhe lëvdohen për shekuj mbi trimëritë, thënë ndryshe mbi mizorinë e karakterin gjakatar për të vrarë pamëshirë armikun, fqinjin.

***

Ishim një brigadë ushtarësh nga kombe të ndryshëm e uniformë të njëjtë, me paragjykime e armiqësi të vjetra. Me shpërthimin e ndonjë krize, ringjalleshin kujtimet e hidhura të së kaluarës. Tensionet rriteshin. Në marrëdhëniet në mes veti ishim të kujdesshëm, si të ecnim në fushë të minuar. Zënkave e rrahjeve u ruheshim, kishim kujdes ndaj konflikteve armiqësore e fyerjeve në baza nacionale. Por urrejtja e heshtur pluskonte në ajër.

***

Ndërsa lufta është ende nocion absurd për atë brigadë të harruar në male, që vetëm jehon përmes ca lajmeve në radio, autori shpalos bindjen se projekti i Jugosllavisë ishte jo vetëm i paaftë të sillte bashkëjetesë paqësore nën një çadër, por edhe i destinuar të dështonte. I ndërtuar mbi një terren të rrëshqitshëm, mes popujve që identifikimin kombëtar dhe nacionalizmin e kishin zgjuar ndoshta edhe përpara krijimit të shtet-kombeve europiane me shpërbërjen e perandorive të mëdha, i ngritur mbi themele tragjedish dhe lumenjsh gjaku ishte i pashmangshëm edhe dështimi. Rrëfenja i kapërcen edhe dyzet vitet e sundimit të shtetit federativ.

***

E ndjenim se ishte fillimi i fundit të një shteti, por frika se do të na bënin theror, na kishte mbërthyer. Ushtima e shtetit që po përmbysej, vinte me rrapëllimë të shurdhër si orteku i borës që ka rrezik të marrë çdo gjë para, njerëz e shtëpi, qytete e katunde…

***

Autori thotë se fillimisht e pat shkruar subjektin në formën e një drame. Një dramë absurdi ku pritet lufta, por në fakt ushtarët janë vetë lufta. Aleancat e brishta, miqësitë mes tetë ushtarëve – Zorani, Franci, Ilirjani, Senadi, Stipe, Dimce, Ishtvani dhe Bozho – shpalosin edhe se cilët kombe kuptoheshin diç më mirë me njëri-tjetrin e cilët jo. Koret e plagëve nuk mbajnë më dhe gjithçka hapet.

***

Të gjithë ne ishim ushtarë të mallkuar nga fati. Ishim qengja flijimi. Druanim që dikush në terrin e natës do të na shponte kraharorin me gjuajtje snajperi, a të na therte në fyt. Ne, ushtarë roje, po na blatonin fli të zotave të luftës.

***

Zgjedhja e tij stilistikore, për të kaluar shpejt nga koha e kryer në atë të tashmen, ia sjell lexuesit ngjarjet të gjalla sikur po kryhen ende. Kjo ndoshta edhe për të treguar se edhe pas tri dekadash, Ballkani mbetet zjarri i hapur. Autori nuk i kushton vëmendje vetëm zhvillimeve në kulmimin e luftërave, por edhe zhvillon karakteret, duke na bërë që përmes tyre të njohim mendësi popujsh të tërë.

***

Prapë, pas dyzet vjetësh, djajtë po dilnin nga errësira. Secili kishte rrëfimet e veta rrëqethëse për Natën e Shën Bartolomeut. Njëri përmendte një mal me kufoma, tjetri një fushë me varre masive. Të dy palët prisnin të niste një luftë e gjatë, sfilitëse.

***

Pjesa e dytë e romanit, e kalon luftën nga nocioni abstrakt në terren. Terren kaotik. Fushëbeteja është e gjithë harta e ish-Jugosllavisë. Të gjithë luftojnë kundër të gjithëve. Tanimë nuk ka vetëm një armik, kundër të cilit të sulmojnë e të mbrohen ushtarët e Jugosllavisë. Kështjella federative po shkërmoqet dhe të gjithë rimarrin shpejt rolet e vjetra, ku është më e lehtë që popujt të jenë armiq. Kjo ngase, as Jugosllavia nuk e pat në vizionet e saj të sillte paqen mes popujve që kish mbledhur në vathë, ku disa kishin privilegje e të tjerët shtypeshin.Ngjarjet zhvillohen vrullshëm si në një film aksion. Ilirjanin, protagonistin e hedhin situatat nga njëra ushtri në tjetrën, nga Sllovenia, në Kroaci, me ushtrinë serbe e deri në Bosnjë.

***

Isha në ushtrinë e serbëve, pastaj në burgun e serbëve, isha në anën e kroatëve, pastaj me serbët e Krainës, Kninit, Likës, Kordunit; nisa t’i numëroja ushtritë dhe uniformat.

***

Autori shpalos ndër rreshta edhe një fakt, kur dikur 30 përqind të ushtrisë jugosllave e bënin shqiptarët. Ilirjani bëhet dëshmitari dhe përmes syve të tij shohim tensionet në shpërthim në secilin shtet, sesi ushtria jugosllave tanimë kishte marrë divizat serbe. Ai provon në lëkurë tmerret e luftës, plagoset, burgoset, arratiset, dezerton… Autori e lë gjallë, duke e kaluar në situata me zgjidhje të befta për jetën, deux ex machina. Ilirjani duhet të jetojë për të na treguar atë që ka ndodhur. Do të kishte qenë më e thjeshtë për këdo narrator të zgjidhte ta rrëfente librin nga një kah, fjala bie nga ajo shqiptare. Është pikërisht këtu forca e penës së Gani Mehmetajt, që ngacmon dhe na sjell një qasje tjetër, të së njëjtës tablo lufte dhe gjenocidesh. Ndoshta gazetari brenda tij – dikur drejtues i gazetës “Rilindja” apo “Bota Sot”, e di sa e rëndësishme është të jetë neutral. Si shkrimtar, është njohës i mirë jo vetëm i natyrës njerëzore, por edhe i specifikave etno-kulturore të secilit popull të Ballkanit. Që të jenë të besueshëm personazhet e tij duhet të kenë karaktere dhe gjuhë krejt të dallueshme nga tjetri. Përmes kësaj është bëhet edhe më e lehtë të kuptohet se nga burojnë armiqësitë dhe urrejtjet nga tjetri: shpesh nga paragjykimet dhe padija. Ballkani ndoshta mbetet rajoni, ku popujt njihen pak ose aspak mes veti. As gjuha e unifikuar, ajo jugosllave nuk i ndihmoi në afro gjysmëshekulli të kuptoheshin dhe njiheshin.

Në epilog të romanit, Ilirjanin – ushtarin e ushtrisë jugosllave e gjejmë në Hagë. Një tjetër ngacmim ky me aktualitetin, ku sot ende liderë e ish-liderë të Kosovës, ish-luftëtarë të UÇK-së presin gjykimin në Gjykatën Ndërkombëtare. Ilirjani lirohet por jeta e tij dhe e të gjithë ushtarëve me të, nuk është me e njëjta. Në jetën publike të Kosovës, Gani Mehmetaj – një prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reputacionin e një zëri që provokon e madje-madje akuzohet edhe si përhapës i ndasive e përçarjeve. Në letërsi, ai jo vetëm e rrëzon famën e keqe, por shkon deri në tolerancë…na fton ta shohim historinë, gadishullin, madje edhe luftën me sytë e tjetrit.

Në “Lufta e Pengjeve”, e shohim sa me sytë e shqiptarit Ilirjan aq me ato të boshnjakut Senad, serbit Zoran, dalmatinasit Stipe e kështu me radhë…Ashtu bëri edhe dy vjet më parë, ku solli në konkurrim për Çmimin Letrar Kadare romanin “Zogjtë e Qyqes”, ku historinë tragjike të urrejtjes mes serbëve dhe shqiptarëve kishte zgjedhur të mos e rrëfente me gojën e një shqiptari, porse atë të një koloni serb.

***

Ndeshja do të bëhej e ashpër, me shumë viktima. Të gjithë prisnin në tension.Po ne me serbët, si qëndronim? Një armiqësi e vjetër, e egër, e papajtueshme, me plagë që kurrë nuk mbylleshin. Sa nisnin të malcoheshin plagët, shpërthente konflikti tjetër, që i shlyente kujtimet e viktimave të mëparshme. Varret e reja i nxirrnin në harresë të vjetrat.

***

Librat e Gani Mehmetit kanë forcën për të trazuar ujërat dhe vijnë gjithashtu si një ftesë për të dalë nga vetja e për ta parë luftën me sytë e tjetrit. Në këtë rast, protagonisti nuk është një kolon serb, është një shqiptar i ushtrisë së Jugosllavisë, pikërisht kur kjo e fundit nisi të shkërmoqej. Leximi dhe historia tregoi se një projekt i tillë ishte i panatyrshëm, ku popujt as i kanë varrosur e as i kanë harruar armiqësitë dhe plagët mes veti. Një vrasje e paralajmëruar prej incidenteve të vazhdueshme mes Prishtinës e Beogradit i ngjalli frikërat e vjetra të gadishullit dhe shqetësimin e arenës ndërkombëtare./ S.Balliu

Lini një Përgjigje

Sveçla nxjerr videon: Radojçiq drejtoi grupin terrorist në Banjskë

Vuçiq me konferenca të njëpasnjëshme shtypi, pas ngjarjeve në Kosovë