in

Bombardimet: Zjarri qiellor po i ndëshkonte mujsharët

Gani Mehmetaj:  

Jo rrallë me fillimin e bombardimeve i jepja vetës liri të dilja nga furriku e të mrekullohesha me pamjet, të cilat herë më dukeshin përrallore, ashtu si e imagjinoja mrekullinë e parajsës, herë më ngjanin me pamjet surreale të filmave të Spilbergut. Më bëhej se mbi kupën e kryeqytetit një orkestër qiellore ekzekutonte muzikën më të mirë që ma kishte kapur ndonjëherë veshi: Simfonia e nëntë e Betovenit, muzika e Moxardit, Vivaldit. Atëherë isha i lirë ta dëgjoja orkestrën e avionëve e shpërthimin e bombave; atëherë isha i lirë të shëtisja mbi çatinë e qytetit pa frikën se mund të më qëllonin me snajper; atëherë nuk druaja nga askush, e hiqja nga kujtesa policinë, rezervistët dhe mjekërzinjtë që rrinin të ngërdheshur para shitores së udhëkryqit; atëherë qyteti bëhej imi, ndërsa muzika më e mirë në botë m’i përkëdhelet veshët. Orkestra qiellore binte pa pushuar në veshët e mi.Në këtë kënaqësi mbrëmësore policët, rezervistët e civilët e tyre tmerroheshin kur niste zëri i alarmit ajror, thuajse avionët do t’i detektonin dhe do t’i veçonin kush janë ata e kush ne. Nga frika futeshin vrik nëpër strehimore, shkallët shungullonin nga hapat e tyre, ndërsa tanëve nuk u shkonte nëpër mend të kërkonin strehim.Zjarri qiellor po i ndëshkonte mujsharët. Zjarri qiellor e përflakte horizontin, duke krijuar pamje të magjishme. Në kulmin e shpërthimit të zjarreve më vinte të lëshoja një zë të thekshëm: “Jam gjallë, jam në majë të çatisë së botës!” Kënaqesha si kurrë më parë. Sa më shumë zgjasnin bombardimet, aq më shumë zgjatej kënaqësia ime. Shtrija duart drejt atij ndriçimi qiellor, doja ta ngrohja zemrën, ta shkrija akullimin e frikës. Më bëhej sikur fluturoja mbi qytet, duke shtrirë duart mbi të, dirigjoja orkestrën e bombardimeve dhe i orientoja se ku duhej të hidhnin më shumë bomba. Imagjinoja shndërrimin në engjëll, që pëshpëriste këndshëm: paqe e mëshirë! Këto dy gjëra na mungonin aq shumë. Kërkoja paqe e mëshirë për të çnjerëzuarat, të ngujuarit, pengjet; kërkoja paqe e mëshirë për ata që fshiheshin nëpër bodrume e furriqe, në frikën e vazhdueshme që do t’i kapnin; doja paqe e mëshirë edhe për shpirtin tim të sfilitur e hakmarrës, sepse dëshira për hakmarrje ma gërryente lukthin e zbrazët, m’i ngurtësonte zorrët, më bënte gati si ata.

Në kotësitë e ditëve të zymta, që nuk ecnin, përpiqesha të shtrydhja trurin, kur nuk arrija të shkrydhja trupin e sfilitur. Hapësira e kufizuar më ndillte mendime të zymta. Doja të largoja zymtësinë që më mbërthente, por për habi nuk më vinte në mendje asnjë pamje a kujtim i mirë, më zvetënohej edhe figura e ëmbël e së dashurës sime, për të cilën nuk e mora asnjë lajm, nuk më dilte parasysh asnjë dialog a pamje me fqinjën time të bukur, Svetlana, që u tregua e gatshme të më shpëtonte jetën. Imazhet e ndaluara, të cilat dikur më eksitonin nuk më bënin fare përshtypje. Mungesa e shkrydhjes ma ndrydhte ndjenjën e së bukurës. Provova me këmbëngulje të flakja imazhet e shëmtuara, sepse zymtësia shtohej, shtresohej në mua, por pikërisht atëherë kur përpiqesha të shtrydhja trurin pamjet qetësuese më iknin trembshëm.Vetëm një herë m’u kujtua episodi mbresëlënës: mbërthimi i shpejtë në një kënd të errët të hyrjes së apartamenteve, ofshama me frymëmarrje të shpejtuar. Befas na dridhi klithma e një adoleshenteje, e cila e frikësuar nga errësira, e humbi kontrollin e zërit kur në atë terr-burg lëvizi para saj diçka. Vajza e lemerisur ia mbathi me britma, unë e fqinja Svetlana ikëm me frikë pa u përshëndetur. Herën e dytë ishim edhe më të shqetësuar në apartamentin e mikut tim. Tërë kohën dridheshim, megjithatë u eksituam në kulm, eksitimi na e mbyti frikën nga e papritura, harruam për një çast pasojat: linçimin, turpërimin publik të mikes sime dhe tërbimin kundër meje. Nuk e përsëritëm më, sepse çmimi ishte tepër i lartë. Dashuria jonë e shkurtër mbeti fragment i një kujtimi në kohë të turbullt.Aparati i kujtesës më dilte nga priza. Ditë të tëra truri s’më pillte asgjë. Instinkti i vetëmbrojtjes më mprihej si të ndonjë kafshe mali. Shqisat më punonin në një mënyrë të veçantë, ndjenja e alarmit të brendshëm më dridhte si zile. Regjistroja lëvizjet qysh në largësi, kapja dridhjet e brendshme në pallat apo në rrugë qindra metra larg nga furriku im. Shqisat m’u mprihen si asnjëherë më parë, të nuhaturit m’u zhvillua në shkallë të tillë që nuk e kisha njohur. Era e gjellëve më cyste të vuaja e të lëpihesha, stomaku më gërryente A ishte ky tensionim i shqisave për shkak se më la dhe e lashë duhanin, apo mungesa e nikotinës m’i relaksonte shqisat për aromat. E nuhasja nga larg kur dikush piqte mish; nga dritarja e apartamentit tjetër vinte era e furrës ku gatiteshin ëmbëlsirat. Goja më lëshonte lëng, barku më gërryente. Në këto çaste krize urie, merrja një copë peksimet gjysmë të mykur dhe e sillja nëpër gojë sa të mashtroja veten.Askush nuk kërkonte asgjë nga unë, megjithatë unë përpiqesha të mbijetoja. Ndonjëherë më shkonte nëpër mend se askush në botë nuk e dinte që merrja frymë. Kujt do t’i shkonte nëpër mend se e ngrysja natën dhe e gdhija ditën në një qymez në çatinë e ngrehinës shumëkatëshe? Kush do ta imagjinonte se jetoja aq afër armikut, apo sikurse thuhej ndryshe në gojë të ujkut, vetëm disa qindra metra larg nga udhëkryqi, ku nuk mund të kalonte as miza.Nata më sillte kënaqësitë, që nuk i kishte dita, nata më ofronte pamje që e kërkoja me ngulm, sepse ditët më mbysnin me trishtim, natën kënaqesha kur nisnin bombardimet, e shijoja koncertin qiellor, apo spektaklin e shpërthimeve të njëpasnjëshme, mbrëmjet e kthjellëta më dukeshin madhështore, ndërsa bëhesha njeri tjetër me të filluar zukama bletësh e aeroplanëve që vazhdonin me fishkëllima tronditëse për të vazhduar me farfuri ngjyrash e ylbere fishekzjarrësh. As atëherë dhe, as më vonë, nuk e kam kuptuar pse kolonët i mbërthente frika e pa kontroll me të nisur alarmi ajror. As atëherë dhe as më vonë nuk e pata të qartë, ku ishte qëllimi i nxitjes së kësaj frike për popullatën e kombit të tyre, avionët kërkonin pikat ushtarake e jo objektet e banimit, ata nuk ndëshkonin civilët, por makinerinë ushtarake. Askush nuk ua sqaronte këtë gjë, përkundrazi e fillonin mbrëmjen me alarmin ajro, duke e frikësuar popullatën. Kështu, me të nisur alarmi, banorët e tyre rrapëllonin shkallëve për t’u fshehur në strehimore apo objektet që i përgatitën për këtë qëllim, kurse unë dilja nga strehimorja ime-furriku apo nga koteci me të nisur alarmi ajror, sepse nuk doja të më shpëtonte spektakli i bombardimeve. 

Nga romani Boritë e Apokalipsit-Gani Mehmetaj 

Lini një Përgjigje

MASAKRA E HEREҪIT –VEPER KRIMINALE E UDHEHEQJES KOMUNISTE JUGOSLLAVE DHE ASAJ SHQIPTARE (3)

Zbulimi epokal i shkencëtarëve: ‘Më në fund e dimë pse aftësia e njeriut për t'u riprodhuar po rrezikohet gjithnjë e më shumë