in

Presidenti Begaj pritet me ceremoni shtetërore në Prishtinë nga presidentja Vjosa Osmani

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj është shprehur i lumtur për vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, jo vetëm thjesht në respekt të traditës, por edhe si simbolik e natyrshme që mishëron lidhjen ndërmjet dy vendeve.

“Po vij në shtëpi, në shtëpinë e shqiptarësië, si bir e vlla mes bijve të kësaj toke krenare dhe vëllezërve të së njëjtit identitet. Aty ku shtëpia është e Zotit dhe e mikut. E dashur Vjosa, faleminderit për pritjen e ngrohtë, vëllzarore dhe bisedën që zhvilluam sot me shkëmbime idesh, pikëpamjesh dhe vizionesh për dy vendet tona. Jam i nderuar që jam sot në Prishtinë, në vizitën time të parë si president dhe kjo jo thjesht në respekt të traditës por edhe si një simbolikë e natyrshme që mishëron lidhjen tonë të pandashme dhe të pandryshueshme, e vulosur nga historia, nga gjuha jonë e përbashkët dhe nga heronjtë tanë në shekuj. Dy dialekte dhe një gjuhë, dy republika dhe një komb, kjo është harta jonë patroitike me distanacion Brukselin dhe bashkimin tonë në Aleancën euroatlantike”, ka theksuar Begaj.

Ai ka thënë se luftën e fituam së bashku dhe bashkë duhet të luftojmë për ta ruajtur paqen, teksa ka thënë se asnjë raport i trilluar nuk do të mund ta njollosë luftën e drejtë të popullit të Kosovës.

“Ky është amaneti dhe trashëgimia solemne e Ismajl Qemajlit dhe Isa Bioletinit, e Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit, e çdo luftëari të UÇK-së, e çdo kulle dhe çdo pëllëmbe të kësaj toke që quhet Dardani apo Republikë e Kosovës. Ibrahim Rugova ishte një udhëheqës vizionar e qëndrestar, dhe themelues i pavarësisë së Kosovës. Vizioni i tij është shembull frymëzimi për të gjithë politikanët në Kosovë dhe Shqipëri. UÇK-ja përbën një faqe të ndritur të historisë sonë të përbashkët, që bën krenar çdo shqiptar. Asnjë raport i trilluar që tenton të njëllos gjjakun dhe flijimin e shqiptarëve në mbrojtje të lirisë, flamurit dhe identitetit kombëtar nuk do të arrijë të zbehë kurrë këtë trashigëmi të lavdishme”, ka shtuar Begaj.

Tutje presidenti shqiptar theksoi se me presidenten Osmani e ndan të njëjtin qëndrim se Kosova dhe Shqipëria jo vetëm që gëzojnë lidhje të pazgjidshme vëllazërore e strategjike, por edhe të njëjtin vizion dhe aspiratë – të ardhmen në BE dhe NATO.

“Reformat integruese për forcimin dhe demokratizimin e institucioneve, ndërtimin e shtetit ligjor, konsolidimin e ekonomisë së tregut nga njëra anë dhe një prespektivë e besueshme evropiane për Ballkanin Perëndimor nga ana tjetër mbeten thelbësore për të siguruar stabilitetin rajonal dhe për të mbështetur mirëqenien dhe stabilitetin në rajonin tonë. Hapja e negociatave të Shqipërisë me BE-në është një arritje e shumë pritur dhe një lajm shumë i mirë për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, por edhe në Kosovë e gjithë rajonin”, ka vijuar Begaj.

Ai ka thënë se i ka dhënë mbështetje presidentes Osmani për ta përmbyllur sa më parë çështjen e liberalizimit të vizave, por edhe sa i përket anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtar.

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një premtim i vonuar dhe një e drejtë që ata duhet ta gëzojnë si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit, për çka unë e sigurova presidenten Osmani se Shqipëria do të vijoj mbështetjen e saj për përmbylljen me lajm pozitiv të saj sa më shpejt të jetë e mundur. Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe vlerëson se NATO mbetet një garant i paqes në rajon dhe aleat strategjik i Kosovës dhe Shqipërisë. Ne mbështesim anëtarësimin e Kosovës në të gjithë organizmat ndërkombëtar. Vlerësojmë se aplikimi për anëtarësim në Këshill të Evropës ishte vendim i duhur. E sigurova presidenten Osmani se gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit dhe si anëtare e OKB-së, Shqipëria do të jetë zëdhënëse e interesave të Kosovës, përforcuese e zërit të saj në promovimin e shtetit ë pavarur të Kosovës, njohjet e reja dhe rrugëtimin e saj euroatlantik”, ka nënvizuar Begaj.

Lufta në Ukrainë sipas të parit të shtetit shqiptar tregon edhe një herë se paqja është delikate dhe si asnjëherë më parë bota përballet me kërcënime të reja.

“Siguria kombëtare, pavërsia energjetike, siguria ushqimore, pandemitë, siguria kibernetike, rezervat ujore etj, janë fusha me rëndësi prioritare dhe si asnjëherë më parë kërkojnë bashkëpunim të shtuar”, ka thënë Begaj.

Ai ka vlerësuar maturinë e shtetit ë Kosovës në përballimin e krizës së 31 korrikut dhe ka mbështetur plotësisht të drejtën legjitime të institucioneve të Kosovës për shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, BE-në dhe SHBA-në.

“Po ashtu, vlerësoj qëndrimin e presidentes dhe qeverisë së Kosovës në vazhdimin e dialogut me Serbinë si e vetmja mënyrë për të bërë të qartë se realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm. Formula e zgjidhjes së dialogut Kosovë – Serbi e shprehur nga presidenti Biden si marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve e fokusuar në njohje reciproke apo qëndrimi i ripërsëritur i kancelarit gjerman, Scholz se njohja e Kosovës nga Serbia është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, janë inkurajuese në përëjekjet tona që rezultati përfundimtar të jetë një dhe vetëm një: Marrëveshje e detyrueshme ligjore që përcakton qartësisht njohjen e ndërsjellë, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE si dhe trajtimin e drejtë të minoriteteve sipas kushtetutës së Kosovës”, është shprehur Begaj.

Ai ka thënë se Kosova dhe Shqipëria janë faktorë stabiliteti në rajon dhe bashkëpunimi i shkëlqyer midis institucioneve të dy shteteve duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Osmani: Kosova e Shqipëria me traktat për mbrojtje të ndërsjellë

Presidentja Vjosa Osmani pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se vizita e tij në Kosovë nuk është vetëm një vizitë zyrtare në një shtet, por edhe vizitë tek vëllezërit dhe motrat e tij.

Osmani ka thënë se Shqipëria i ka dhënë mbështetje të parezervë Kosovës në të gjitha periudhat dhe ka qenë zëri i Kosovës, aty ku shteti më i ri evropian nuk ka mundur të jetë i përfaqësuar.

“Gjatë udhëheqjes suaj llogarisim në ju, llogarisim që Shqipëria edhe më tej të jetë zëri ynë aty ku i jepet mundësia. Kam besimin e plotë se nën udhëheqjen tuaj z. President do t’i intenfisikojmë edhe më shumë marrëdhëniet tona në të gjitha fushat”, ka thënë Osmani në konferencën e përbashkët me presidentin Begaj.

Tutje Osmani ka thënë se agjenda institucionale e Kosovës mbetet e fokusuar në konsolidimin dhe fuqizimin e pozicionit të saj ndërkombëtar, si vend sovran e i pavarur si dhe në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe fuqizimin e sundimit të ligjit si parakusht i zhvillimit ekonomik.

“Objektivi ynë është anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE deri në fund të këtij viti, për çka llogarisim npë ekspertizën dhe përvojën e Shqipërisë si shtet që tashmë i ka kaluar këto procese”, ka shtuar Osmani.

Ajo ka thënë se gjatë takimit me presidentin Begaj kanë diskutuar edhe për nënshkrimin e një traktati, nëpërmjet të cilit do të kishin mbrojtje të ndërsjellë.

“Është me rëndësi që me Shqipërinë të kemi edhe një traktat për mbrojtje të ndërsjellë, me të cilin në mënyrë reciproke do të reagojmë në rast të cenimit të dy shteteve tona. Ka disa vite që e kam bërë një propozim të tillë, i cili është në harmoni me praktikat ndërkombëtare dhe aplikohet nga shumë shtete, përfshirë edhe aleatët tanë strategjik. Prandaj, mendoj se është koha që të bëjmë hapa të duhur në këtë drejtim”, ka nënvizuar presidentja.

Duke folur për situatën në veri Osmani theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtar dhe të zbatohen në praktikë vendimet e institucioneve tona, të cilat sigurojnë edhe zbatim të marrëveshjeve të Brukselit, por parasegjithash sigurojnë trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve.  

“Ne presim që BE të jetë më i zëshëm karshi tendencave destabilizuese të Serbisë ndaj gjithë rajonit, të cilat janë të nxitura dhe i shërbejnë interesave të Rusisë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë ekuivalencë të trajtimit të palëve kur qartazi Serbia agresori edhe një herë dhe po përdor retorikë luftënxitëse në raport me Kosovën, por edhe veprime që cenojnë paqen dhe stabilitetin e Kosovës. Prandaj, presim sinjale të qarta nga BE në raport me Serbinë, e cila duhet të ndalojë njëherë e përgjithmonë t’i ndalojë këto veprime që cenojnë sigurinë në rajon”, ka thënë Osmani.

Lini një Përgjigje

Kosova kërkon ndihmë nga perëndimi për anëtarësim në NATO e BE

Teherani fajëson shkrimtarin Rushdie për sulmin ndaj tij