Studimin e saj Elif Becan e nis qysh nga marrëveshjet e para që shteti i Turqisë kishte bërë me vendet ballkanike për kthimin e turqve që si pasojë e rënies së Perandorisë Osmane kishin mbetur jashtë kufijve të saj. Çështja e shqiptarëve dhe loja me termin “mysliman” nis mu këtu. Shqiptarët kishin shkuar në Turqi, por jo si shqiptarë, por si myslimanë.
“Historiografia e marrëveshjes së vitit 1938 tregon se si turqizmi është përdorur për të ndryshuar përbërjen etnike të ‘Serbisë Jugore’ në favor të popullsisë sllave”, ka thënë studiuesja Elif Becan, e cila të enjten, në Seminarin e Antropologjisë, ka mbajtur ligjëratën “Riatdhesim apo transferim? Negociatat prapa Konventës së vitit 1938 ndërmjet Mbretërisë së Jugosllavisë dhe Republikës së Turqisë”. Shqiptarët atje do të shpërnguleshin si turq, ka qenë një tjetër dëshmi që ka dhënë Becan, mbesë e një emigranti shqiptar. Gjyshi i saj kishte migruar nga Kosova në Turqi gjatë viteve ’30
Ka interpretime të ndryshme, dilema e të pathëna për shpërnguljen, transferimin a dëbimin e shqiptarëve të Jugosllavisë së dikurshme në Turqi, por studiuesja Elif Becan, kur qëmton prapavijën e një marrëveshjeje jugosllave-turke të 85-vjetëve më parë, nxjerr konstatime të prera. Njëri prej tyre: se ajo kishte për qëllim sllavizimin dhe një tjetër: se shqiptarët atje do të shpërnguleshin si turq. Ka dhënë dëshmi për këto. Konventa – ani pse e mbetur në tentativë – është thelbi i atyre që u realizuan para e pas saj në raport me shqiptarët.
“Riatdhesim apo transferim? Negociatat prapa Konventës së vitit 1938 ndërmjet Mbretërisë së Jugosllavisë dhe Republikës së Turqisë”, ka qenë titulli i ligjëratës që Becan e ka mbajtur të enjten në kuadër të Seminarit të Antropologjisë, organizuar prej Departamentit të Antropologjisë në Fakultetin Filozofik në UP. Hulumtimet rreth kësaj çështjeje i kishte bërë në kuadër të temës së doktoratës. Becan, nga Université de Nanterre në Paris, është mbesë emigranti. Gjyshi i saj kishte migruar nga Kosova në Turqi gjatë viteve ‘30.
Studimin e saj Becan e nis qysh nga marrëveshjet e para që shteti i Turqisë kishte bërë me vendet ballkanike për kthimin e turqve që si pasojë e rënies së Perandorisë Osmane kishin mbetur jashtë kufijve të saj. Çështja e shqiptarëve dhe loja me termin “mysliman” nis mu këtu. Shqiptarët kishin shkuar në Turqi, por jo si shqiptarë, por si mysliman. Kjo, sepse deri vonë, sipas saj, në shumicën e vendeve të Ballkanit të jesh mysliman ka nënkuptuar të jesh turk.
“Historiografia e Marrëveshjes së vitit 1938 tregon se si turqizmi është përdorur për të ndryshuar përbërjen etnike të ‘Serbisë Jugore’ në favor të popullsisë sllave. Meqenëse turqizmi mund të interpretohej si praktikë gjuhësore ose si religjion, literatura argumentoi se turqizmi u bë një element i dobishëm, i përdorur nga qeveria jugosllave për të mërguar popullsinë shqiptare”, ka deklaruar Becan.
Sipas saj, migrimet që filluan pas krijimit të shteteve ballkanike, njëherësh shpërbërjes së Perandorisë Osmane, në të vërtetë lidheshin edhe me krijimin e një shtrese borgjeze dhe një klase të mesme rurale, e cila do të vendosej në toka të pabanuara e të cilat do të nisnin të punoheshin nga ta.
“Këto interesa ekonomike dhe sociale ndikuan në politikat e mikpritjes dhe përjashtimit. Kjo strategji u zbatua kryesisht përmes politikave të marrëveshjeve dhe emigrimit, të cilat ju mund të preferoni t’i quani politika çrrënjoseshe ose kolonizim. Citoj se qeveria turke ‘e konsideronte si një gjë të sigurt se jugosllavët do të fusnin edhe shqiptarë në mesin e emigrantëve’. ‘Raporti i majit 1940 përmbledh procedurën e negociatave dhe tregon se marrëveshja midis autoriteteve jugosllave dhe turke nuk e kishte përmendur çështjen e shqiptarëve. Dhe në fakt, ky raport tregon se qeveria jugosllave asnjëherë nuk e ka shkruar me shkrim synimin e saj politik dhe e kishte bërë të padukshme çështjen e emigrimit të ‘shqiptarëve’”, ka thënë Becan, bazuar në gjetjet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Ankara.
Por, pas një përpjekjeje të tillë të Jugosllavisë nuk arriti të fuqizohej për shkak të luftërave, një hap drejt finalizimit të një marrëveshjeje të ngjashme, që kishte si synim shpërnguljen e shqiptarëve ne Turqi, u nis me iniciativë të vetë shtetit të Turqisë.
“Marrëveshja e vitit 1938 nuk arriti të hynte në fuqi për shkak të luftës, por në fillim të viteve 1950 dy shtetet vendosën të mblidheshin përsëri për një arsye të ngjashme. Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe Republika e Turqisë filluan diskutimet në vitin 1951 për të arritur një marrëveshje migracioni që do të lejonte të ashtuquajturën popullsi turke të Jugosllavisë të emigronte në Turqi. Por, kësaj radhe dialogun nuk e nisi qeveria jugosllave, por ajo turke, me qëllim që të arrihet një marrëveshje për emigrimin e pjesëtarëve të minoritetit turk në Jugosllavi në kuadër të bashkimit familjar”, ka bërë të ditur Becan.
Teksa arsyet pse Serbia dëshironte dëbimin e shqiptarëve janë të qarta për shqiptarët, Becan e kishte parë këtë aspekt më shumë nga ana e qeverisë turke. Sipas saj, arsyet se pse Turqia i dëshironte shqiptarët lidhej më shumë me aspektin ekonomik të vendit dhe përfitimet që mund të merrte prej tyre. “Marrëveshje të shkëmbimit të popullsisë u hartuan dhe u negociuan në të njëjtën mënyrë si marrëveshjet e migrimit të detyruar. Në këtë kuadër të kësaj, dy qeveri kishin rënë dakord që njëra palë të niste një proces emigrimi të detyrueshëm që synonte një popullsi të caktuar dhe tjetra të merrte jo vetëm atë popullsi, por edhe një kontribut financiar të barabartë me numrin e njerëzve të pranuar. Sipas kësaj, kjo popullsi përcaktohej nga përkatësia fetare dhe gjuha. Kjo procedurë lidhej me aspiratat kohore të të dyja palëve, pasi e para i dëbonte ose eksportonte ‘të padëshiruarit’ dhe e dyta fitonte mundësinë e instalimit të ‘të dëshiruarve’ në zona ku ato mund të ishin të të ndihmonin në jetën ekonomike dhe sociale”, ka thënë ajo.
Para se të nisnin negociatat midis Turqisë dhe Jugosllavisë gjatë vitit 1936, Becan bën të ditur se Ankaraja fillimisht kishte kërkuar mendimet e ambasadorit turk në Beograd, Haydar Aktar, dhe konsullit të Shkupit, Erdogan Sevki. Pyetja lidhej me atë nëse kjo ishte një gjë e mirë dhe deklaratat e tyre në të vërtetë japin edhe përgjigjen lidhur me atë nëse Turqia e dinte që bëhej fjalë për shqiptarë e jo për “serbë jugorë”.
“Në raportin e tij të prillit 1936, ambasadori Haydar Aktar shpjegoi se kërkesa jugosllave ishte e lidhur ‘me marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë dhe se qeveria jugosllave ishte e shqetësuar për numrin e shqiptarëve në Maqedoni. Ai sqaroi se qeveria jugosllave ‘ndiente nevojën për të ndjekur një politikë vigjilente në Maqedoni dhe se, për këtë arsye, autoritetet jugosllave morën vendim që në Maqedoni të çonin popullsi sllave’. Prandaj qeveria e kuptoi shpejt se Marrëveshja kishte të bënte më shumë me shqiptarët sesa me turqishtfolësit”, ka shpjeguar ajo.
Të njëjtin mendim kishte shprehur edhe konsulli në Shkup sipas së cilit, me një politike të tillë Turqia do të shpëtonte shqiptarët të cilët gjendeshin në një gjendje të njëjtë me turqit që kishin mbetur jashtë territoreve të Turqisë. Në letrën që Aktar ia kishte dërguar Ministrisë së Jashtme, e të cilën kishte arritur ta siguronte Becan, konfirmohej edhe nevoja për ndihmë ekonomike.
“Kur ambasadori në Beograd, Haydar Aktar, ia dërgoi këto dokumente Ministrisë së Punëve të Jashtme, ai deklaroi se një konventë, siç sugjeroi qeveria jugosllave, do të ishte një mundësi për të mirëpritur popullsinë turke dhe shqiptare në Turqi, dhe ai shprehimisht deklaroi se nëse qeveria jugosllave ishte e gatshme të paguante për udhëtimin e tyre dhe kompensimin e pasurisë së paluajtshme dhe tokën që ata do të linin detyrimisht pas, qeveria turke ‘do t’i shpëtonte ata që ishin nga e njëjta prejardhje (pra turqit) dhe në të njëjtën kohë do të merrte disa komponentë dinamikë, punëtorë dhe të kursyer’”, ka cituar ajo.
Sipas saj, një kriter tejet i rëndësishëm njëherësh i paqartë dhe që linte hapësirë të mjaftueshme për manipulim ishte ai i racës dhe kulturës.
Me një gjë të tillë Becan ka thënë se Turqia vazhdon të luajë edhe sot dhe për këtë ka marrë shembull edhe migrimin e sirianëve, shumë prej të cilëve kanë arritur të strehoheshin në Turqi vetëm falë këtij kriteri: kulturës turke dhe njohjes së turqishtes.
“Përkufizimi i termit ‘kulturë turke’ është i paqartë dhe bëhet gjithashtu një kriter i pranimit arbitrar. Ekziston një raport anonim i shkruar në maj të vitit 1940 nga një analist i Ministrisë së Jashtme turke që përmbledh draftin e Konventës; në të flitej për paqartësinë e shprehjes ‘kultura turke’: ‘Në nenin e parë të marrëveshjes përcaktohet se kush do të preket nga emigracioni. Sipas klauzolës emigrimit i nënshtrohen ‘subjektet myslimane jugosllave me origjinë dhe gjuhë turke dhe ata me kulturë turke’. Shprehja është shumë e përgjithshme. Në veçanti shprehja ‘dhe ata me kulturë turke’ është shumë elastike; me këtë term mund të kuptohen myslimanët që nuk janë turq, por që kanë jetuar në komunitetin turk”, ka shpjeguar Becan teksa ka cituar dokumentin në fjalë. Koha.