in

Aktrimi në Maqedoninë e Veriut mes sfidës dhe pasionit!

Shkup, 22 dhjetor – Aktrimi në Maqedoninë e Veriut është një nga profesionet më sfiduese por në të njëjtën kohë kemi të bëjmë me profesionin tek i cili mbizotëron pasioni, përndryshe vështirë të mbijetohej. Aktorët ndodhen në udhëkryq ku duhet të vendosin për të ardhmen e tyre profesionale si dhe “mbijetesën” me një profesion për të cilin thuhet se ka të ardhura jo të mjaftueshme, për të krijuar një mirëqenie sociale të qëndrueshme. Kjo mbase është edhe një prej arsyeve kryesore që shumë të rinj heqin dorë nga ëndrrat e tyre fëmijërore dhe ndalojnë së ëndërruari për aktrimin, sepse nga rrethi, familjarët e shoqëria dëgjojnë fjalë e këshilla që po u merre me art në këtë vend vështirë që do të sigurosh bukën e gojës. Maqedonia e Veriut një shtet kandidat për anëtarësim në BE, pjesën kulturore e ka pjesën më të zbehtë për sa i përket investimeve dhe nxitjes për zhvillim e progres. Sukseset në aktrim mbase nuk mungojnë plotësisht por që janë vështirë të arritshme kjo është e padiskutueshme. Sa filma shqip kemi në RMV, a ofrohet mbështetja e duhur nga institucionet dhe mediat për profesionin e aktrimit, sa të rinjtë janë të interesuar për aktrimin?, shkruan Zhurnal.

A është e vështirë rruga drejt suksesit për aktorët në RMV?

Gjendja e mjerueshme në institucionet kulturore në RMV mund të kuptohet nëse kthehemi tre muaj më parë në kujtesë, ku institucionet kulturore mbetën në errësirë. Teatri Shqiptar ishte shkyçë nga rrjeti për furnizim me energji elektrike për shkak të borxhit prej 4 milionë e 200 mijë denarësh (rreth 70 mijë euro), borxh ky i akumuluar nga muaji shkurt i këtij viti. Po për shkak të borxhit ngjashëm ishte shkyçur edhe Opera dhe Baleti Kombëtar i Maqedonisë së Veriut. Vlera e borxhit për energjinë e shpenzuar nga Opera dhe Baleti Kombëtar ka arritur në 6 milionë e 500 denarë, përkatësisht rreth 105 mijë euro.

Në një shtet ku institucionet kyçe kulturore mbesin në errësirë mbase suksesi mund të paramendohet e të imagjinohet, rrallë herë e me shumë vështirësi mund të realizohet. Mungesa e përkrahjes së mjaftueshme nga institucionet relevante, mungesa e përkrahjes në sponzorizimin financiar të bizneseve të ndryshme ndaj iniciativave të aktorëve të ndryshme për t’i sjellë në dritë projektet e tyre, si dhe një hapësirë e vogël mediatike për promovim të kulturës dhe artit janë shkaqet kryesore që të shpien drejt këtij rrugëtimi drejt suksesit me plotë sfida dhe sprova që jo lehtë tejkalohen.

Sa të rinjtë janë të interesuar të studiojnë aktrimin?

Se është e vështirë të jesh aktor i suksesshëm në Maqedoninë e Veriut kjo dëshmohet qartazi edhe nga interesimi i të rinjve që të studiojnë aktrimin e ta kenë si profesion të së ardhmes për të kontribuar në këtë drejtim, për tu përmbushur profesionalisht si dhe për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për një mirëqenie sociale. Po u pyetën të rinjtë sot se përse nuk studioni aktrimin, përgjigja e tyre do të jetë sepse me aktrim vështirë të mbijetohet.

Kjo qasje dhe ky diskurs ka sjellë në një situatë aktrimin si një ndër profesionet më interesante e shumë të duhura për zhvillim të një kulture të një vende në buzë të greminës duke shndërruar në një profesion me të cilin vështirë mbijetohet, e me këtë profesion mbase duhet të bësh luftë ekzistenciale.

Por, gjithsesi që duhet përmendur edhe një fakt real e shumë të dhimbshëm që vetëdija e qytetarëve ende nuk është në nivelin e duhur dhe me këtë nivel aktual ka një interesim pasiv për shfaqjet teatrale, mbase përkrahje më e madhe për aktorët do të kishte qenë një sallë e mbushur përplot qytetarë që të ndjekin punën e palodhshme të aktorëve.

Filmat shqip me regjisor nga Maqedonia e Veriut?

Filmat shqip që burojnë nga Maqedonia e Veriut fatkeqësisht janë të pakët për të mos thënë që mungojnë plotësisht, falë disa regjisorëve të suksesshëm shqiptarë si, Kastriot Abdyli, e të tjerë edhe shqiptarët e këtij shteti mund të identifikohen me filma shqip që burojnë pikërisht nga ky vend.

Filmi “Kthimi” është i përgatitur nën kujdesin e regjisorit njëherësh edhe producentit, Kastriot Abdyli, film që trajton migrimin si fenomen te shqiptarët, si dhe kontarditat që sjellin integrimi dhe globalizimi në traditat e familjeve shqiptare. Për rrjedhojë në këto konstelacione civilizuese e kulturologjike vendoset edhe kodi etik i shqiptarëve – besa, si një koordinatë etno-psikologjike që përshkon gjithë fabulën e filmit.

Megjithatë, nga aktorët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut më shumë kemi tregime shqiptare që transmetohen edhe në televizionin shtetëror. Që duhet vlerësuar edhe ky mund dhe kjo punë që bëhet vetëm për të pasuruar kulturën artistike të shqiptarëve, si dhe për mos të harruar tregime që secili prej tyre përbrenda vetes përcjellë mesazhe domethënëse për të kaluarën e shqiptarëve si popull fisnik dhe bujar.

Ndryshe, ajo që është e dhimbshme për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është fakti që kemi të bëjmë me një popull që ka tre Universitete brenda këtij shteti por ja që me kulturën dhe artin ka ngecur dhe nuk po vërehen hapa në drejtim të zhvillimit dhe progresit. Ajo që është shqetësuese në nivel nacional që tani edhe pas miratimit të buxhetit për vitin 2023 kur bëhen analiza për sa i përket sa buxhet është planifikuar për ministritë përkatëse, Ministria e Kulturës nuk është askund në listë, me shumë gjasë është ndarë pjesë e ngjashme e buxhetit edhe për vitin që vijon sikurse për vitin aktual, pa çka se kjo pjesë e buxhetit për këtë vit rezultoi të jetë e pamjaftueshme sepse nuk pati nxitje për aktorët, e artdashësit që të zhvillojnë edhe më shumë kulturën. /Zhurnal.mk

Lini një Përgjigje

Ndërron jetë në spital 17-vjeçari që u përplas me makinë nga nga ish-kryebashkiaku i Himarës

Macron: Ukraina nuk ka gjasa të anëtarësohet në NATO