in

Një hero i panjohur dhe pothuajse i harruar

 

Shkruan: Xhevat Ukshini 

Destan Nuha në vitin 1916, pra tre vjet pas pushtimit serb të Kosovës e vrau një serb që, kinse me nismë vetiake, kishte filluar të ndërtonte një kishë ortodokse në Jezerc, afër themeleve të një kishëze të vogël katolike shqiptare të katundit. Atëherë themelet ende dukeshin, sot ndoshta për zbulimin e tyre ka nevojë për dijen e një arkeologu. Ai ishte vetëm 16 vjeç në këtë moment kur doli nga anonimati i katundarit. Mosha e tij ishte moshë e idealizmit që s‘e pranon djallëzinë si kusht për mbijetesë, por vepron duke kërkuar përmbysjen e gjendjes ku dominon përditshmëria me llogaritë e saj. Një shkrimtar shqiptar shkruan në një roman të tij se kur burrat sillen si fëmijë, iu bie fëmijëve të sillen si burra. Pikërisht këtë gjë e bëri ky djalosh shqiptar që kujtesa jonë kolektive e ruan në panteonin e saj pa e pas kuptuar plotësisht aktin e tij. Në këto raste që kanë enigmën brenda priremi për një shpjegim të thjeshtë psikologjik: Burrnia e Destan Nuhës nuk kujtohet sot, sepse na turpëron!

Në Jezerc nuk kishte asnjë serb atëbotë dhe, në ndërkohë, edhe asnjë shqiptarë katolikë, edhe pse dikur kishte pasur shumë të tillë. Sot, njëqind vjet më vonë, në këtë katund ka fare pak shtëpi shqiptare, fare pak banorë parakë, por shumë, shumë vila luksoze. Dhe aty-këtu ndonjë restaurant të shkëlqyer. Çdo fundjavë qyteti vërshon këtej, për t’u çliruar nga streset e ditës, por rrallëkush nga kjo masë e stresuar di diçka për Destan Nuhën. Me sa duket, sot turistika është më e rëndësishme se historika. Po njw vend pa histori është një vend pa të ardhme. E ardhmja ka nevojë për kaluarën siç ka lisi nevojë për rrënjët e tij. Pa asnjë dyshim.

Dikur, në zamanin e Turqisë, që të qëndroje në këtë katund pa asnjë pllëmbë toke bujqësore, krejt pranë Nerodimes pjellore që banohej vetëm nga serbët, duhej të bëheshe mysliman. Ata që s’e pranuan këtë kushtëzim, ikën. Disa që ikën mbetën në vendbanimin e ri në fenë e tyre edhe për njëfarë kohe, disa të tjerë, të paktë, që shkuan tutje, përgjithmonë, të tjerë u islamizuan se deshën të jetonin në katunde me ujë e tokë bujqësore. Tokë pjellore si në Nerodime nuk kishte askund tjetër në këtë rrethinë, por ajo ishte e zënë nga të tjerët që nuk ishin fare myslimanë, madje as shqiptarë. Konvertimin në myslimanë e kërkonin autoritetet osmane vendëse dhe në këtë pikë ata ishin strikt, sepse rigoroziteti kërkohej nga lartë, ishte politikë shtetërore. Një nëpunës që tregohej liberal në këtë pikë, e humbte automatikisht vendin e punës, nëse jo dhe kokën. Për historianin e ardhshëm shqiptar hulumtimi i rasteve kur nëpunësit nuk zbatonin me rigorozitet politikën e qendrës, do të ishte një fushë shumë interesante e kërkimit shkencor. Është e pamundshme të mos ketë pasur raste të tilla, pavarësisht se për të marrë një post nëpunësi në administratën osmane kandidati duhej të kalonte shumë filtra të shtetit.

Në këtë kohë parake, që vendoset dikund në mjegullën e kujtesës, kishin ndodhur thyerje të mëdha, ndaj dhe njerëzit kishin arsye t’i groposnin ato në nëndijen e tyre psikoanalitike. Gjurmët e kësaj tronditjeje shpirtërore i gjen edhe sot pa mund të madh. Çdo familje që kishte mbetur në katund në këtë periudhë dramatike i kishte shlyer ato nga kujtesa, këto ngjarje të paraardhësve, sepse ishte kohë e turpit dhe e poshtërimit. Të kujtohet një ngjarje të dhimbshme në të kaluarën është gjithmonë një dhimbje e re, kështu që përmes harresës njerëzit synonin ta bënin të durueshëm realitetin shqiptarmohues, që të mund të jetonin pak a shumë si njerëz pa truama. Në këtë rrethana harresa kthehej në kusht të mbijetesës fizike. Truporja shënonte fitoret e saj të mëdha në fushën e betejës mbi shpirtëroren. Katolikët e dikurshëm ishin kthyer në myslimanë dhe, për t’u dukur, myslimanë pa shibla, kujtimet e të parëve të tyre i kishin dëbuar rrënjësisht nga kujtesa, ishin kthyer në krijesa pa kujtesë ose në krijesa të ngjashme me fokën. Por sa normal mund të jetë një njeri i tillë! Prejardhja kurrë s‘është e parëndësishme, ajo i shpjegon shumë gjëra fundamentale. Administrata osmane dhe „turqit“, siç quheshin dhe vetëquheshin shqiptarët e myslimanizuar, e shihnin vëngër apo edhe e lëçisnin çdokënd që ishte i dyshimtë për qëndrim kritik ndaj pushtetit shqiptarofag.

Jezerci ishte një katund si shumica e katundeve të tjera shqiptare në Kosovë që përbëhej nga shumë fise të ndryshme. Një pjesë e banorëve të këtij katundi, sipas kujtimeve të katundarëve, kishte ardhur këtu para shumë kohësh nga Mirdita. Ndoshta pikërisht këta mirditas e kishin ndërtuar dhe atë kishëzën, të cilën e kishin braktisur më vonë, kur u detyruan ta pranonin një fe tjetër, nëse donin të rrinin aty, ndryshe duhet ta lëshonin vendbanimin ku ishin vendosur. Jezerci ishte një katund malor, me shumë burime uji dhe me fushën pjellore të Nerodimes afër, dmth. me mundësi reale për t‘u furnizuar me bukë e gjëra të tjera që kërkohen në jetë, por vetë si vend malor këto ushqime të domosdoshme për jetë nuk i prodhonte. Ishte katund që bukën duhej ta sillte nga jashtë. Një bashkësi që nuk e siguron bukën nga toka e saj, është një bashkësi lehtësisht e shantazhueshme. Nga Jezerci nuk është shumë larg as qyteti i Ferizajt, i cili u themelua si qytet relativisht vonë, pak vite para Lidhjes Shqiptare të Perzerendit. Në kohën kur duhet të jenë vendosur fiset mirditore në fshat, Ferizaj ende nuk duhet të ketë ekzistuar as si qendër tregtare dhe as administrative, si qytet gjithësesi jo. Thuhet se ishte vend pyjor. Qyteti lindi tek pas ardhjes së udhës së hekurit, siç quhej në popull hekurudha. Udha e hekurit, një togëfjalësh interesant dhe domethënës, si emër i përbërë i formuar sipas rregullave e ligjeve të morfologjisë së gjuhës shqipe. „Udha e hekrit“, kështu saktësisht quhej kjo udhë në të folmen lokale që solli me vete qytetin dhe bashkë me të edhe botën moderne. Sepse aty ku hynë udha e hekurit, hynë edhe qytetërimi, thuhet. Hekurudha erdhi në këto anë pak a shumë në të njëjtën kohë me vendet më të përparuara të Evropës. Hekurudha solli me vete edhe një shpirt të ri, shpirtin kryengritës të Destan Nuhës. Them e solli, por nuk jam aq i sigurt. Ka shumë mundësi që këtë mendësi ta ketw gjetur aty.

Më 1916 u shfaq në horizont një serb me mjetet e tij të punës, një si ndërtimtar që prekte në themelet e bashkësisë shqiptare pa e pas marrë më parë lejen e bashkësisë, në fakt ai shihej si një përbindësh, ndaj dhe mbrëmjeve në odat shqiptare vlonte pezmi e pakënaqësia: si nuk doli një djalë shqiptar që ta vriste këtë ardhës të paftuar që ka uzurpuar një lëndinë tonën dhe aty po ndërton një objekt kulti që s‘i përket këtij katundi. Kjo ishte pak a shumë përmbajtja e bisedave të burrave të irrituar. Dhe një ditë të bardhë, Destan Nuha e merr pushkën që varej në murin e odës me arsyetimin se ishte shfaqur një ujk që e rrezikonte kopenë e tij të deleve dhe e bën realitet atë që burrat e pleqtë e katundit e ëndërronin, por s‘kishin guxim ta bënin, sepse e dinin që për një akt të tillë rebelimi do të duhej të paguanin një çmim të lartë. Serbia në këso raste ishte e pamëshirshme në ndëshkim. Ndryshe nga malazezët që kryenin konvertime në masë në pravoslavlje dhe kishin vrarë madje edhe priftin katolik Luigj Palaj tre vjet më parë, serbët mendonin se infiltrimi i tyre në indin shqiptar me një qasje tjetër, të kujdesshme dhe të moderuar, nuk do të binin në sy në Evropë, kurse shqiptarët do t’i sillnin para fakteve të kryera. Për ndëshikimin dhe strategjinë perfide serbe në këto ndeja kishte dëgjuar edhe djaloshi që vrau ndërtimtarin serb.

Familja e Destan Nuhës në rrjedhën e kohës u shua plotësisht, pa shumë bujë, por pa asnjë dyshim dikush u kujdes që proceset të shkonin në këtë drejtim. Vetë Destan Nuha ndoshta u vra, në rrethana të panjohura, në burgjet serbe. Askush nuk u interesua më për të. Asgjë nuk dihet me saktësi për të nga momenti që u arrestua dhe u dënua. Madje nuk dihet as me sa vjet burg u dënua nga një gjykatë serbe e kohës. Deri vonë qe ruajtur një fotografi nga çasti i arrestimit të tij, të cilën e kam parë vetë me sytë e mi, por tani, pas luftës së vitit 1999, edhe ajo është zhdukur. A thua rastësisht?! Në arkivat serbe duhet të gjendet dikund me siguri ndonjë fotografi e Destan Nuhës. Për të ka nevojë skulptura shqiptare, e cila ende është mospërfillëse ndaj këtij akti atdhetar, por një ditë ky njeri do të ngrihet në këmbë shtatoren në bronz, sepse ai nuk veproi e nuk vdiq për një çështje të parëndësishme. Historianët shqiptarë deri më tani nuk janë marrë me këtë „vogëlsirë“. Ata nuk janë marrë as me „vogëlsirën“ tjetër, me Kryengritjen e Ferizajt të fundit të vitit 1944. Edhe për këtë ngjarje të madhe gjen gjurmë kudo, në arkivat e shteteve të Perëndimit dhe aty-këtu në kujtesën e ndonjë shqiptari të moshuar të kësaj rrethine, ende gjallë, por askund në librat e historianëve.

Kisha serbe në Jezerc s‘u ndërtua kurrë, por gërmadhat e saj ende janë aty si dëshmitare e projektimit të saj. Nja dhjetë vjet më vonë hija e saj u zhvendos në qendrën e qytetit të Ferizajt. Nga viti 1928 deri në vitin 1932 u ndërtua kisha e Shën Uroshit në qytetin që ishte emëruar Uroševac nga pushtuesit e rinj qysh në vitin 1913. Kisha ekziston edhe sot në të njëjtin oborr me xhaminë e madhe që u ndërtua poashtu jo shumë vjet pas shtypjes osmane të Lidhjes Shqiptare të Perzerendit. Në mediat tona ende përhapet miti për tolerancën fetare, sepse kisha dhe xhamia janë përbri njëra-tjetrës, në një oborr. Por e vërteta është ndryshe. Serbët e ndërtuan kishën e tyre në oborrin e xhamisë me forcë. Kisha si godinë, në kohën kur u ndërtua, ishte më e madhe dhe më e lartë se xhamia, e cila atëbotë nuk kishte as kupolë dhe as minare. Përmes madhësisë dhe lartësisë së objektit të tyre të kultit serbët donin të përçonin mesazhin e siprisë politike në masën shqiptare. Kompleksin e inferioritetit sunduesit e rinj e mbollën në masën shqiptare. Serbët përmes kishës së tyre përçonin sinjalin në masën shqiptare se gjendja kishte ndryshuar me themel, kështu që kjo masë duhej të aranzhohej me sundimtarët e rinj. Kisha serbe si xhamia turke më parë jo vetëm përçonin mesazhe politike si objekte, por edhe kishin lindur në konstelacione të përllogaritjeve politike. Ato, para se të ishin objekte të mirëfillta fetare, në radhë të parë ishin aty si simbole të politikave të caktuara kundërshqiptare. Si ortodoksia serbe, ashtu edhe islami turk, gjithmonë e kishin kërkuar afërsinë e politikës dhe s’kishin pasur kurrë ndruajtje prej implikimeve politike të besimeve të tyre. Në kohën kur u ndërtua kisha e Shën Uroshit, Destan Nuha ishte ndoshta në burgun serb të Nishit apo në ndonjë burg tjetër, nëse nuk ishte vrarë më herët. Me siguri me bindjen se kishte bërë diçka që e kërkonte momenti historik dhe shumë i dëshpëruar nga heshtja shqiptare, nga shqiptarët që kishin pranuar gjithçka, vetëm e vetëm që të mbijetonin fizikisht.

Ai ishte një hero i nëpërkëmbur dhe i mohuar nga të vetët, nga shqiptarët, por, siç do ta tregojë më vonë koha, jo edhe nga historia. Historia u rezervon protagonistëve të tillë gjithmonë një status të veçantë. Njerëzit e një epoke ndoshta harrojnë shumçka, por kurrë historia. Megjithatë, as harresa njerëzore nuk është e plotë, sepse nuk është harruar akti i tij unik atdhetar, ky refleks i shqiptarisë në një kohë tepër të vështirë. Destan Nuha nuk ishte vrasës, pa çka se vrau një mysafir të paftuar me veglat e punës nëpër dorë, sepse as ndërtuesi nuk ishte vetëm ndërtues. Në një lëndinë të Jezercit ende gjendet një grumbull gurësh që i ngjan një muri të rrëzuar që dëshmon se dikush dikur këtu deshi të ndërtojë diçka dhe dikush tjetër e ndërpreu në mes këtë gjë. As për ndërtuesin dhe as për atë që doli kundër kësaj ideje pothuajse askush nuk di kurrëgjë. Megjithatë, ky grumbull gurësh ka një histori të madhe. Dhe kjo histori do të duhej të pasqyrohej në artin e skulpturës. Shkrimtari argjentinas Ernesto Sabato e vë në pah faktin se njerëzit kanë nevojë për gjëra që historisë së tyre i japin formë.

Askush nuk e di deri kur jetoi dhe kur e ku u vra Destan Nuha. Dihet vetëm që ai nuk doli nga burgu dhe se familja e tij u shua. Por ai ka jetuar, ka ekzistuar, nuk është person fiktiv, i shpikur, i trilluar për nevojat e kohës. Për ne ka rëndësi shumë fakti që ai jetoi dhe u soll si burrë në një kohë që burrat silleshin si fëmijë. Megjithatë, për kohën e tij dhe për të ne dimë pak, tepër pak. Koha është që historia të mos mohohet në përmbajtjen e saj. Njerëzit gjithmonë deshën të jetojnë të lirë dhe luftuan për lirinë e tyre. Dhe u ndëshkuan!!! Ne të paktën nuk duhet ta bëjmë syrin të verbër dhe veshin shurdhër, të mos duam të shohim atë që ata kanë bërë dhe të mos dëgjojmë klithmat dhe krismat e tyre që ishin jeta që bënin ata në një kohë kur e keqja e madhe e kishte pllakosur jetën e tyre, pra jetën shqiptare.

Norika Sefa e fiton çmimin për dokumentarin më të mirë të shkurtër në Festivalin e Filmit të Sarajevës

Gazetarët ukrainas festojnë në Prishtinë