in

Kush ishte Dan Kartalli që ia fali jetën Fadil Hoxhës?

 

Top Story: Rrëfim i trishtë për gjakovarët që i vrisnin me çekiç pas koke, kurse gjaku shpërthente përpjete në prani të Fadil Hoxhës!)

Shkruan: Gjin Morina, Gjakovë 

Dan Kartalli lindi në Gjakovë me 1916. Djalë i Fetah Kartallit nga Mahalla e Haxhi Ymerit, ishte i sjellshëm, i respektuar dhe patriot. Deri në moshën 30- vjeçare nuk kishte pirë duhan as kafe, alkoolin hiq se hiq. Në rastin kur ishte kthyer mesiti (shkuesi) me një lajm jo të mirë, ngase nuk ia kishin dhanë vajzën që e pëlqente, për arsye se në pyetjen e babait të nuses: çfarë djali është?  Mesiti i përgjigjet: është shumë i sjellshëm, i respektuar pa asnjë të keqe, nuk pi duhan, nuk pi raki, bile as kafe. Babai i nuses thotë: Jo, për këtë djalë nuk kam çikë me i dhanë, se ky as s’po e mushka e as nuk s’po e shprazka!

Dani pasi që ishte bërë shumë merak në atë vajzë vendosi që të mos martohej kurrë. Dhe nga ai moment kishte filluar duhanin. Pas refuzimit të dytë, nisi rakinë. U bë pijaneci më i njohur i Gjakovës. Gjakovarët kurrë nuk e harruan!

Kush ishte Dani dhe ç’kuptim kishte fjala “ Ulluq-ulluq?

Nipi i tij të cilin Dani e kishte edhe shok ngase e donte shumë, e ruajti mu në kohen kur ai nuk pinte raki, aty diku kah dita e tretë e bajramit ta pyeste si nipi dajën, pse e përdorë fjalën: Ulluq – Ulluq ?

Dani e mori për dore dhe i tha eja me mua të dalim në oborr, se do t’i tregoj të gjitha se s’po mundem me mbajt ma, dhe s’po kam qare pa i nxjerrë jashtë, se veç me u tranu.

Por ia tërhoqi vërejtjen se pasi ti tregonte, t’ia sjell me vrap dy decilitra raki.

Pastaj Dani lëshoi një ofshamë të thellë dhe filloi tregimin.

“Në luftën me gjermanët ju kam pas bashkëngjitë  Ballit Kombëtarë, me disa shokë të mi. Kishim mendime të ndryshme nga partizanët e shpesh edhe jemi vra ne mes veti, shqiptarë me shqiptarë”

Ai pastaj ia tregoi një rast kur sa s’i vranë disa të lagjes së tyre  që i kishte shokë para lufte. Por kur i njohu e zbrazi një rafal në ajër. Dan kartalli me shokë kishim dalë në pritë te tyrbja e Sheh Fetahit, prisnin se mos kalon kund ndonjë partizan, apo mos po vinë shokët se e patën lanë me u taku. Ishin gjashtë -shtatë burra, të shtritë në bari duke pritur në lluga, kur e dëgjuan dike që këndonte. Ata ishin afruar gati në 50 metra.

Dani i paralajmëron shokët mos të bëzanin. Kur u afruan edhe pak pa që ishin partizanë. Dani shkrep automat  gjermani përpjetë, dhe ju bërteti: – Lëshoni armët shpejt n’tokë e qoni duert hava se plumat tjerë kanë me ju rras n’drrasë t ‘gjyksit.

Partizanët i hodhën armët në tokë dhe i ngritën duart lartë. Kur afrohet Dan Kartalli, shesh se njeri ishte i lagjes së tij, Emini i  Durakve, dy të tjerët të Çarshisë së Vogël, Fadil Hoxha dhe Mustafa i Bakive. U thotë shokëve se në emër temin unë po i fali e mos gaboni kush me i prish. Do t’u them me i zhvesh këto rroba partizanësh e kurrë më mos me i vesh.

Nuk i vranë, i falën, sepse fundja ishin gjakovarë, tregonte Dani.

Pas gjashtë- shtatë muajve ranë në pritë te tyre: Fadili vet i 40-ti të gjithë partizanë, ua zënë pritën të Ura e Re, afër Bishtazhinit, por ka qenë Ura e vjetër.

Fadil Hoxha me partizanë i dërguan në milicinë e sotme, në Mahallë të Qerimit, përballë shkollës, “Vojo Llakiqeviç. Ishim tetëmbëdhjetë burra të zënë rob, të përzier gjakovarë e të katundeve. I kthyen me fytyrë nga muri, ndërsa ishte një ulluk para këmbëve të tyre, rrëzë murit. I kishin pas marrë do romë (gabel) me çekiç në dorë, tri-katër kilogramësh! Kur donin t’i vrisnin, një herë i pyesnin: ti ballist a?” Dhe i godisnin me çekiç mbas koke. Viktimën  aty për aty e lëshonin këmbët, i shpërthente gjaku përpjetë, pastaj jepte shpirt. Shkonte gjaku nëpër ulluk si vada e ujit. Dalëngadalë i afrohej fundi edhe Danit. Ishin tre burra para tij, kur hyri Fadili, e bërtiti: “Pritni pak! Kthene fytyrën kah unë”. Ata e kthyen kokën nga ai.

Dani tregonte: “E pashë që mi nguli sytë dhe tha: atë të fundit, nxirreni jashtë se atë e ndreqi unë me dorën time. Më kapi një gabel për duar të lidhura, ashtu si ishim të gjithë me duar të lidhura e me dërgoi në një dhomë tjetër. Fadili u bërtiti gabelve me çekiç të përgjakur: hajt shkoni ju në punët tuaja ku ishit.

Ata shkuan të mbaronin punë edhe me dy burra të tjerë. Fadili ia zgjidh duart Danit dhe i thotë: tash jemi një me një. Ik e shko kah të duesh e mos bjer mo i gjallë n’duar tona. Ti me fale nji herë, edhe unë po të fali nji herë.

-Eh more nipash tmerrin qe e kam perjetu me ata ulluqt e kuq veq truni jem e di qysh pom rri n’krye !

Po ti bone mirë që m vete, e edhe une e qita jasht! Po deri kurë mu bo urë ? E mos me folë mo, sa mi majtë këtë siklet !?

Hec e maje, e hec e fol.!

Këto ishin fjalët e fundit të Dan Kartallit që e njihnin të gjithë në Gjakovë, kurse pak kush e dinte tmerrin që e kishte përjetuar.

Lini një Përgjigje

Tirania e Moskës barbare mbuloj çdo vatër shqiptare me lot dhe në zi

Koncepti “Fuqi” në Politikë, dhe shqiptarët në Ballkan