Dush Gashi
Para 1999-ës, Serbia ka ikur edhe dy herë të tjera nga Kosova. Që kjo të ndodhë, është dashur që secilën herë të shpërthejë nga një luftë botërore, e para dhe e dyta.
Por, Serbia, është kthyer prapë po aq herë. Me terror e krime të reja.
Edhe për të ikur përfundimisht u desht një tronditje globale – rënia e sistemit komunist në Rusi, revolucioni i kadifenjtë në Evropën Lindore, shpërbërja e Paktit të Varshavës. Pa këto tërmete planetare nuk do të ndodhte shkatërrimi i Jugosllavisë.
Në finale, edhe vetë ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë mund të mos ndodhte, sikur kasapi i Ballkanit të mos i kishte përgjakur duart edhe në dy lufta të tjera, në Bosnjë e Kroaci, duke i zemëruar keq udhëheqësit e atëhershëm të shteteve prijëse të botës.
Me gjithë këto, është dashur energji e angazhim i paparë i diplomacisë perëndimore për të koordinuar e përgatitur gjatë tërë vitit 1998, në mos edhe më herët, ndërhyrjen ndërkombëtare. Pastaj edhe bombardimet për plot 78 ditë të aleancës ushtarake më të madhe e më të fuqishme që ka parë bota ndonjëherë.
Kaq ishte e nevojshme që të kapitulonte Serbia!
Për këto gjëra nuk flitet sot. Theksi rregullisht vëhet në rezistencën, vuajtjet dhe, sidomos luftën tonë. Sigurisht, edhe këto duhet përmendur, por edhe ta kemi të qartë se pa një konstelacion të tillë faktorësh, ngjarjesh e rrethanash, të cilat – siç e ka thënë dikush para meje – mund të ngjajnë vetëm njëherë në një mijë vjet, Serbia do të ishte ende këmbëkryq në këtë vend.
Tash, njëzet vite pas lufte, nuk mund të kuptoj se si thuaja askush nga klasa jonë politike nuk e ka dëshmuar se e kupton rëndësinë kolosale historike të tërë këtyre rrethanave të papërsëritshme. Nuk kam parë njeri nga këta që sot bëjnë politikë ta këtë goditur në ndërgjegje gjithë ai gjëmim bombash e raketash që bota u desht t’i zbrazë mbi Serbinë.
Përndryshe do ta çmonin më shumë lirinë. Dhe nuk do të na binin në situatë që ambasadori gjerman, për turp të zotit, të na thotë se na qëndrojnë prapa për një shtet si duhet, e jo për një shtet dhuratë për një pakicë.
Pa eufemizëm, kjo do të thotë për një shtet si plaçkë lufte.