Shkruan: Besian Zogaj
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka shpërndarë së fundmi një njoftim për shtyp ku njofton përcjelljen e një Notë Verbale ndaj autoriteteve britanike mbi gjuhën diskriminuese dhe të papërshtatshme të Ministrit të Shtetit për Imigrimin të Mbretërisë së Bashkuar, z. Robert Jenrick. Ky veprim erdhi në vijim të reagimit të fortë të Ministres Olta Xhaçka e cila kish denoncuar më parë me një tweet narrativën linçuese të ministrit britanik ndaj komunitetit shqiptar duke e akuzuar atë gjithashtu se gjithçka bëhej “për disa vota mizerabël“, pra për konsum politik të brendshëm.
Në vështrim të parë, në rrafshin teorik, reagimet e lartpërmendura janë për t’u përshëndetur. Diplomacia, shërbimi i jashtëm e ka për detyrë t’u dal për zot jetës dhe dinjitetit të shtetasve të vet kudo ku jetojnë. Kjo është e hershme sa vetë historia e diplomacisë dhe ka gjetur përgjatë kohës një normim me rregulla dhe dokumente të qarta, veçanërisht pas dy konflikteve botërore të shekullit të 20, ku garantimi i jetës, dinjitetit dhe “lirisë nga nevoja“ të çdo banori në planet dhe universaliteti i së drejtave të njeriut qëndrojnë tashmë në themel të ngrehinës së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në hierarkinë më të lartë të së drejtës ndërkombëtare.
Ky realitet i ri i ideuar dhe ndërtuar pikësëpari nën protagonizmin e Mbretërisë së Bashkuar dhe SH.B.A-ve u ka ardhur në ndihmë shqiptarëve gjatë këtyre 30 viteve më shumë se sa e mendojmë.
Thënë këto, përtej kësaj ngasje laboratorike, gjykoj se reagimet e ministrisë dhe ministres meritojnë një analizë më të thellë. Vala e re e emigracionit dhe reagimi i autoriteteve britanike ngërthen rreth nesh disa problematika që duhen trajtuar në raport me përgjegjësitë e qeverisë dhe shtetit shqiptar, qoftë në lidhje me emigracionin e pandërprerë e me ritme të larta të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit, qoftë me standardet e interesit dhe përkujdesjes së Tiranës ndaj bashkëkombësavë jashtë kufijve, qoftë për gjuhën e përdorur dhe përdorimin e diplomacisë për konsum të brendshëm.
Së pari, duhet mbajtur parasysh se qeverisja e Shqipërisë është prodhuesja kryesore e emigracionit masiv të shqiptarëve. Kur themi këtë, kemi parasysh se nuk jemi në vitet 1990, 1991, 1992 apo 1997 kur shqiptarët shpërthyen masivisht drejt vendeve perëndimore si një reagim i tyre i dyfishtë ndaj varfërisë dhe izolimit komunist. Jemi tri dekada më vonë. Në të gjitha raportet e Eurostatit në këto 10 vitet e fundit shqiptarët kanë qenë në dhjetëshen e parë të listës sa i përket kërkesës për azil apo leje qëndrimi, pa llogaritur ata që jetojnë dhe punojnë në të zezë. Ky është fakt. Qytete të shkreta, shkolla të mbyllura, mungesë profesionistësh, mungesë e krahut të punës, rënie e konsumit etj. Emigracioni është një dramë e cila tashmë shikohet me sy të lirë.
Pavarësisht presionit publik gjithnjë e në rritje Qeveria i ka rënë gjithmonë anash këtij problemi, duke e relativizuar deri në papërgjegjshmëri.
Impulset e fuqishme dhe të pazakonta e largimit të të rinjve dhe qytetarëve të çdo moshe nga vendi akuzojnë para së gjithash qeverinë dhe qeverisjen. Qoftë edhe për ketë arsye Ministria e Jashtme, ministrja Xhaçka dhe kryeministri Rama duhet të ishin më të matur në komunikimin me shtetet pritëse të këtyre emigrantëve.
Gjuha e përdorur, me etiketime emocionale apo aludime që e gjitha kjo bëhet për “disa vota mizerabël”, përveçse është në kundërshtim me praktikën e mirë ndërkombëtare, është tërësisht e pamatur sidomos në kushtet kur kjo vjen nga Ministrja e Jashtme e vendit që ka prodhuar problemin.
Së dyti, a e ka ushtruar shteti shqiptar përgjegjësinë e vet ndaj shtetasve jashtë kufijve? A kanë mbikëqyrur përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore kushtet e jetesës dhe respektimin e dinjitetit, të drejtave dhe lirive themelore për shqiptarët jashtë kufijve?
Narrativa demonizuese ndaj komunitetit shqiptar jashtë vendit nuk ka filluar me mediat dhe autoritet britanike, por është një problem prej vitesh. E kemi hasur në Spanjë, Belgjikë, Holandë, Gjermani etj. Shteti shqiptar përkundër ndonjë deklarate përbetuese në kufijtë e banalitetit, nuk i ka dal asnjëherë për zot kësaj pune. Misionet tona nuk kanë zakon të çojnë përfaqësues për t’u interesuar në kampet e emigranteve, nuk kanë financuar qoftë dhe një OJF për të monitoruar respektimin e të drejtave, nuk u kthen as përgjigje letrave dhe kërkesave me shkrim duke i lënë tërësisht në mëshirë të fatit.
Së treti, të gjitha raportet e Home Office dhe Foreign Office flasin për kapje të shtetit në Shqipëri në çdo qelizë, për korrupsion, administratë të politizuar dhe të pakualifikuar, tendera e koncesione klientelist e të paracaktuar, media të kapura, liri dhe të drejta të pagarantuara etj. Një sistem neopatrimonial tipik.
Dalja jashtë kornizave të protokollit dhe fjalorit diplomatik i cili duhet të përfshijë takt, prudencë, rezervim dhe përgjegjësi përgjithësisht do t’u pranohej pa dëm personazheve apo përfaqësuesve që kanë një epërsi morale dhe intelektuale të njohur në komunitetin ndërkombëtar. Dyshoj se ministrja jonë e jashtme dhe qeveria shqiptare i kanë këto atribute.
Gjuha populiste e qeveritarëve të Tiranës nuk i ndihmon emigrantët. Në të kundërtën, u bën dëm.
Së katërti, problemi i përfaqësimit. Një papërgjegjshmëri e pangjashme ishte dalja përballë përfaqësuesve të Dhomës së Ulët e Ambasadorit tonë në Mbretërinë e Bashkuar, diplomati i stampës bolshevike, Qirjako Qirko, një personazh që me sa duket nuk di as shqip e as anglisht, por kupton ndonjë gjuhë tjetër, i cili ndërsa pyetej mbi arsyet përse shqiptarët kalojnë kanalin e “La Manshit” nuk pati droje të përgjigjej “it’s your problem” ( Është problemi juaj).
Përtej anglishtes së tij “mizerabël” dhe banalitetit të përfaqësimit të tij, ambasadori zbuloi pa dashje të vërtetën e dhimbshme të mungesës totale të shtetit për shqiptarët jashtë kufijve duke i treguar ata si “jetimë”, si njerëz pa përkatësi, anëtarë të një shoqërie nomadësh.
Të gjitha arsyet më lart kanë ndikuar jo pak komentet e pahijshme të mediave dhe ministrit për Imigracionit, z. Robert Jenrick.
Reagimet e ministres Xhaçka, përveç se ushqejnë trushpëlarët e elektoratit socialist, nuk kanë asnjë dobi as për imazhin tonë e aq më tepër për kushtet e shqiptarëve në Britani apo gjetkë. E “hedhur në botën” e diplomacisë nga Kryeministri Rama, zonja ministre duhet të kuptojë se “dasein-i” i saj është krejt e kundërta e asaj çka ajo po bën. Marrëdhënia mes shteteve nuk mund të përdoret për politikë të brendshme nga titullari i Ministrisë së Jashtme e një vendi. Ajo duhet të angazhohet diplomatikisht për më shumë transparencë për çështjen e vizave me Britaninë e madhe, garantimin e të drejtave për shqiptarët në Britaninë e Madhe dhe kudo, dhe për këtë duhet të vërë në punë të gjithë ata diplomatë të shkëlqyer dhe atdhetarë në rrethin e shërbimit të jashtëm të RSH, të cilët përtej Qirkos apo ndonjë tjetri, përbëjnë shumicën e trupës tonë. Vetëm kështu do t’u vinte në ndihmë shqiptarëve jashtë kufijve. Derisa kjo të ndodhë, për momentin ajo që mund të thuhet është se ka bërë një Notë Verbale aspak strategjike për shqiptarët./Liberale.al/