Shkruan av.Zanfir Kryeziu
Një grup intelektualësh pejanë i drejtohen Komunës së Pejës, përkatësisht Komisionit për Emërtimin e rrugëve dhe objekteve tjera me rëndësi në Pejë, sepse në propozimin për emërtimin e rrugëve dhe objekteve me rëndësi të posaçme në Pejë janë anashkaluar, ndoshta me pa dashje periudha të caktuara të historisë së popullit shqiptar. Ato periudha janë të lidhura ngushtë me personalitete të shquara të Pejës që ishin pjesëmarrës aktiv në kryengritje që u bënë në Kosovë dhe Shqipëri, e që ishin në krye të luftërave për çlirim. Ata burra ndihmuan në formimin dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare. Ishin ata tribun që në çdo kohë ishin të gatshëm për sakrifica të skajshme deri në flijim për lirinë e popullit shqiptar.
Këtu bëhet fjalë për ata të cilëve në periudhën e sundimit enveristo-titist iu mohuan të gjitha përpjekjet e tyre për liri duke i damkosur si “kullak”, e kualifikime tjera. Ca nga ata edhe u pushkatuan nga dora serbe duke iu zhdukur edhe eshtrat. Ky grup intelektualësh angazhohet që të zbardhet edhe historia e këtij vendi. Errësira e pjesës së historisë së këtij populli ishte qëllimi i armikut shekullor të popullit shqiptar dhe përkrahësve të ideologjisë sllavo komuniste pas Luftës së Dytë Botërore e cila fatkeqësisht akoma nuk është zhdukur, vazhdon të jetoj në trashëgimtarët e udhëheqësve sllavo komunist shqipfolës edhe sot.
Si intelektual dhe qytetar të Pejës janë të interesuar që të ndriçohet veprimtaria patriotike e këtyre kolosëve të lirisë dhe pavarësisë dhe atë:
Zenel beg Mahmutbegollit
Qerim beg Mahmutbegollit dhe
Sejfedin beg Mahmutbegollit
Historiografia moniste e ndikuar nga ideologjia e luftës së klasave apriori kishte mohuar, neglizhuar,gjykuar apo dënuar personalitetet e shquara kombëtare të oxhaqeve të mëdha shqiptare siç janë Mahmutbegollajtë e Pejës, Kryezinjët e Gjakovës, Rrotlajtë e Prizrenit dhe Gjinollajtë e Prishtinës. Me ngarkesa të tilla ideologjike e politike të deformuara dhe me pikëpamje të shtrembëruara të historiografisë marksiste ishte bërë një padrejtësi ndaj trajtimit historik të këtyre familjeve e më ketë edhe të vetë historisë shqiptare. Në atë kohë qasja shkencore ndaj këtyre problemeve luftohej me mjete revolucionare që rezultonte me burgosje apo internime të intelektualëve në Shqipëri. Ndërkaq në Viset e okupuara shqiptare në kuadër të Jugosllavisë si në Kosovë e gjetiu mundohej të lartësohej ideja e patriotizmit jugosllav duke anashkaluar temat kombëtare. Në këto kushte veprimtaria e personaliteteve nga familjet aristokrate shqiptare u interpretuan në mënyrë qëllim keqe ku paraprakisht personalitetet visheshin me epitete denigruese si psh. Kullak e pastaj interpretoheshin ”argumentet” e konstruktuara më parë pa pasur asnjë mbështetje historike.
Përgjithësisht shikuar nga këndvështrimi historik familjet e mëdha aristokrate shqiptare në periudhën e pushtimit Osman por edhe më heret ishin bartës të të gjitha proceseve politike shoqërore e ekonomike sepse atë ia lejonte dhe ia impononte vetë përkatësia e tyre klasore prandaj ata janë pjesë e pandarë e rrugëtimit historik të popullit shqiptar. Periudha e pushtimit Osman imponon procesin e islamizimit të shumicës së klasës së lartë shqiptare por jo edhe osmanizimin e tyre dhe zhdukjen e ndjenjës kombëtare, andaj mbështetur në këto parime themi lirisht se gati nuk kaloi asnjë ngjarje me rëndësi historike kombëtare pa pjesëmarrjen e Mahmut Begollajve të Pejës dhe Kryezive të Gjakovës, qoftë drejtëpërsëdrejti ose tërthorazi, që nga formimi i Sanxhakut të Shkodrës, Dukagjinit, Prizrenit, Kuvendit të Arbërit, Lidhjes së Prizrenit, Lidhjes Besa-Besë të Pejës, Shpalljes së Pavarësisë, Formimit të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, Marrëdhënieve diplomatike me Britaninë e Madhe dhe aleancën me shtetet të tjera Antifashiste gjatë luftës së dytë Botërore e kështu me rradhë thekson prof.dr.Muhamet Mala-Shef i Departamentit të Historisë së Universitetit të Prishtinës në letrën e tij të dt.Nëntor 2012 dërguar qeverisë Shqiptare përkitazi me nismën e tyre të mirëpritur nga popullata që për nderë të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë për dekorimin e per-sonaliteteve të shquara që kontribuan për pavarësin e shtetit shqiptar në mesin e të cilëve edhe Zenel bej Mahmutbegollit,Qerim bej Mahmutbegollit dhe Riza bej Gjakovës.
Në librin e prof.dr.Bardhosh Gaçe “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare me 1912” për veprimtarin patriotike të Zenel bej Mahmutbegollit në mes tjerash thuhet: Ka lindur në Pejë,në familjen zëmadhe dhe patriotike të Mahmutbegollëve në vitin 1865. Qysh në rininë e tij u shqua në kuvendet e burrave, luftërat dhe përpjekjet antiosmane.
Lidhjet me rrethe atdhetare u forcuan edhe më shumë me krushqi, martesën që bëri me të bijën e atdhetarit të shquar Ali Pashë Gucisë.Në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX ishte një personalitet i cili gëzonte autoritet e respekt në Pejë e më gjerë.Në vitin 1899 u përfshi në organizimin e Lidhjes së Pejës krahas Haxhi Zekës, me synimin për ruajtjen e tërësisë tokësore nga shovenistët ballkanikë.Ndihmoi nga afër Haxhi Zekën në përgatitjen e Kuvendit të Pejës,që u mbajt me 24-28 janar 1899.Në rezoluten e këtij kuvendi u vendos midis të tjerash që shqiptarët të kenë kreret e vetë komandantë ushtarat.Një nga këta ushtarak u zgjodh edhe Zenel beg Mahmutbegolli.Në vitet më pas ai bashkëpunoi me Riza bej Gjakovën,Idriz Seferin dhe Isa Boletinin me të cilin kishte raporte krushqie (djali i tij kishte për bashkëshorte vajzën e vllait të Isa Boletinit) në organizimin e rezistencës antiosmane.Në dhjetor të vitit 1902 u takua me Isa Boletinin para se të nisej për në Stamboll dhe kërkoi besen për ta mbrojtur nga ndonjë e keqe që mund t’i ndodhte.
Në shkurt 1903 duke e parë se Isa Boletini nuk po kthehej nga Stambolli, Zenel Begolli, Zejnullah beg Vuçitërni dhe Aqif Pazari,organizuan një lëvizje kundër pushtimit Osmanë. Ata protestuan me telegrame pranë Portës së lartë dhe kërkuan kthimin në Kosovë të Isa Boletinit. Emri i Zenel Begollit për këtë protestim shënohet edhe në relacionin e përfaqë- sisë gjermana në Beograd dërguar kancelarit të Rajhut, Von Bulov në Berlin, me 30.12. 1902 .Në vitin 1909, Isa Boletini u takua në Pejë me Zenel Begollin, për organizimin e kryengritjes kundër pushtuesve osmanë. Edhe në Maj 1910 u thirr në kuvendin tradicional, në Verrat e Llukës me kërkesën e Isa Boletinit si përfaqësues i parisë së Pejës. Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegatë i Pejës në Kuvendin Kombëtar për Shpalljen e Pavarësisë. I propozuar nga kryetari i qeverisë së Vlorës, Ismajl Qemajli, zgjidhet Kryetar i Senatit.
Në qershor 1914 pas qeverisë së Vlorës, u vendos me krerët e Kosovës në Durrës ku u takua me Princ Vidin. Po këtë vit u kthye në vendlindje por trojet e tij ishin pushtuar nga pushtuesit serbo – malazezë. U largua me gjithë familjen dhe u vendos në Stamboll. Pas disa kohe u ftua në një gosti nga disa autoritetet turke dhe me kthimin në shtëpi vdes i helmuar. U varros në Stamboll në xhaminë ”Ejup Sulltan” në vitin 1915. Me rastin e festave të 100- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë, me 28 nëntor 2012, Presidentja e Republikës së Kosovës znj.Atifete Jahjaga për kontributin e tij të lqartë për lirinë e Kosovës Zenel Bej Begollin e dekoroi me “URDHRIN E LIRISË”.
*****
Udhëpërshkruesi Gabriel Luis-Yaray (viti 1909) pasi që kishte arritur në Pejë… thotë: ”Mendova të njihem me ndonjë familje shqiptare. Peja, si qytet i madh shqiptar, rrënzë maleve, ku banojnë fiset më luftarake dhe të panënshtruara, është vendi ku takohen edhe prijësit dhe bejlerët më të pasur të Shqipërisë Veriore. Në këto vise ndikimi i prijësve ka qenë gjithnjë mjaft i madh dhe kajmekamët turq kanë qenë të detyruar të zbatojnë porositë e tyre. Madje edhe sulltani i plotësonte dëshirat e prijësve shqiptarë, të cilët kishin autoritet të madh.
Familja më e njohur e këtyre viseve është ajo e Begollëve, me prejardhje të lashtë dhe me pasuri të madhe[1]. Kryetar i sotëm i saj është Zenel Begolli, i cili e ka kullën në Pejë. Unë vajta në këtë kullë, që ka pamjen e një kështjelle të vërtetë. Megjithëse nuk e kisha njoftuar më parë për këtë vizitë, më pritën me shumë dashamirësi në selamllëk. Pasi më ulën në divan, më sollën shurup me ujë të ftohtë dhe disa pjata me reçel shumë të mirë, kafe e cigare. Pas pak erdhi Zenel Beu, një burrë mbi të pesëdhjetat, me flokë thuajse krejt të thinjur, trupmadh, por me ecje dhe lëvizje rinore. Qëndrimi dhe biseda e tij tregonin se ai ishte me të vërtetë një prijës, i aftë qoftë të veprojë, qoftë të përmbahet. Ai më shpjegoi pse të gjithë shqiptarët, të pasur dhe të varfër, kundërshtojnë pagesën e së dhjetës, si dhe shërbimin ushtarak të detyrueshëm, siç kërkojnë xhonturqit.
Vijon nesër