Said Kryeziu me Julian Emery
Shkruan avokati: Zanfir Kryeziu
Aty theksohej:. ”Qark Komanda e Prizrenit me datë 14.08.1944 njofton se Gani Kryeziu me rreth 430 veta është në lëvizje. Një pjesë e kësaj fuqie prej 60 vetash ka mbërritë në katundet Morinë e Ponoshecë të Gjakovës, – thuhet se kanë për qëllim të pushtojnë komunat Junik e Ponoshecë, madje me e sulmuar Gjakovën dhe minierat..”. Vetëm tre ditë më vonë shqetësimi i xhandarmërisë u bë realitet. Çetat e komanduara nga Gani Kryeziu filluan veprimet luftarake kundër pushtuesve gjerman. Prefektura e Prizrenit njoftonte Ministrinë e Punëve të Brendshme se….sot në mëngjes kanë fillue luftimet në katundin Kepenek midis gjermanëve dhe Çetave të Gani Kryeziut.Me këto veprime luftarake Gani Kryeziu kishte për qëllim të ndërprente komunikacionin. Lidhur me këtë në njoftimin e datës 07.09.1944 të prefekturës Prizren, theksohej se: “Gani Kryeziu ka për qëllim të bashkohet me Çetat e Hasit dhe të Lumës dhe me i ra Kukësit, për ta ndërprerë komunikacionin Prizren-Shkodër“. Zhvillimi i luftimeve, rritja e fuqisë ushtarake të Gani Kryeziut, bashkëpunimi me bajraktarët e kësaj zone, të gjitha këto ngjallën shqetësim tek Partia Komuniste Shqiptare e drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Nuk mund të pranohej nga komunistët Shqiptarë ndarja e pushtetit me nacionalistët. Shumë të shqetësuar për këto zhvillime ishin edhe jugosllavët. Kështu nisën të shfaqen pengesat e para, provokimet dhe incidentet ndaj Gani Kryeziut. Drejtuesit kryesor të Ushtrisë Shqiptare në raportet, informacionet e radiogramet nga terreni, raportonin të shqetësuar dhe kërkonin nga komanda e ushtrisë të jepe- shin urdhëra, që forcat partizane të provokonin Gani Kryeziun, pasi ai ishte rrezik potencial për to. Kështu, nga Shtabi i Përgjithshëm, kërkohej vazhdimisht që Gani Kryeziu të merrte pjesë në front, përkatësisht forcat e t’ija të vendoseshin nën komandën e Ushtrisë NÇ Shqiptare. Ganiu vazhdonte të mbante qëndrim të pavarur e të matur. Ai mori pjesë aktive në luftën kundër pushtuesve gjerman. Por, qëllimi i tij ishte të merrte pjesë në luftë në mënyrë të pavarur, qëndrim ky i pasqyruar në dokumentat e kohës. Në letrën që Fadil Hoxha i dërgonte Liri Gegës,thuhej: “..Qëllimi i tyre ka qenë mos me u armiqësue me F.N.Ç…me formue një grup të madh,me ba luftë demonstrative kundra okupatorit,madje me u paraqit si një fuqi e madhe e Kosovës,që kërkon të marrë pjesë në Qeverinë Shqip- tare duke kërkuar që Kosova të bashkohet me nënën Shqipëri.
Në këtë dokument pasqyrohet qartë qëllimi perspektiv dhe afatgjatë i Gani Kryeziut,për krijimin e Shtetit Shqiptar ku të përfshihej Kosova dhe kështu, kjo e fundit të shkëputej përfundimisht nga Serbia. Informacionet që vijnë nga terreni përforcojnë bindjen për rolin që ka luajtur Gani Kryeziu në mbështetjen e luftës për Çlirimin e Kosovës e të gjithë Shqipërisë nga okupatori. Ndërkohë,që repartet partizane që vepronin në këtë zone nuk kishin shumë shtrirje në terren, deri kur kaluan brigadat partizane në Kosovë.
Në mbledhjen e Qarkut të Shkodrës,me datë 08.06.1944, në të cilën u analizua gjendja në Kosovë dhe në Rrafsh të Dukagjinit u vu në dukje se:”..Në përpjekje me gjermanët Ganiu ka bashkëpunuar me partizanët e Kosovës…” Kështu, si përgjigje reaksionarët dogjën shtëpinë e Gani Kryeziut dhe fshatin Bytyq. Megjithë këtë, forcat e UNÇ Shqiptare provokonin në forma të ndryshme.Shtabi i Përgjithshëm me datën 12.09.1944,urdhëronte Brigadën e III-të dhe të V-të që të kalonin Drinin, drejt Kosovës. Në këtë urdhër Brigada e III-të porositej që: “të kontaktoj me forcat e Gani Kryeziut dhe ta detyrojnë atë që të ndërroj drejtimin…duke i bërë thirrje që të bashkohet në Frontin NÇL, në rast se ai refuzon ose pengon punën tonë, të likuidohet, të veprohet sikur me Muharrem Bajraktarin…”
Po këto të dhëna i gjejmë të pasqyruara edhe në radiogramin nr.6 datë:12.09.1944 drejtuar gjeneral Dali Ndreut me shënime shumë konspirative.
Në këtë urdhër-radiogram, pasqyrohet qartë qëndrimi i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ Shqiptare.Sipas Shënimeve të Brigadës së III-të rezulton se forcat e saja në zbatim të porosive nga qendra,rrethuan Gani Kryeziun, me disa nga forcat e tij. Në këtë shënim relatohej:”Gani Kryeziu gjendet në një kodër të naltë. Ne kemi zënë vend pak më lartë. Kodra është mjaftë e përshtatshme për te.Prandaj në qoftë se marrim ndonjë masë kundër tij duhen edhe ma tepër forca”.
Në këtë dokument pasqyrohet qartë qëndrimi që mbajtën forcat partizane, pasiguria që kishin në luftën me forcat e Gani Kryeziut dhe qëndrimi që po mbahej në tërësi ndaj nacionalistëve, që kishin marrë pjesë në luftë kundër pushtuesve. Ja si theksohet në radiogramin e Liri Gegës nr.66, datë 20.09.1944, drejtuar Enver Hoxhës,..Gani Kryeziu mbeti i rrethuar me pak veta prej batalioneve tona në Bytyç. Ganiu nuk pranon të hyjë në front. Lajmëroni si të bëjmë. Ne ju përgjigjem kështu:. “Zajin e arrestoni, Saidin dhe inglizin mbajini mirë. Ganiut i bëni thirrje dorzimi dhe në rast se nuk dorzohet e kapni..” Si rezultat i gjendjes së krijuar, pas konfrontimit me forcat partizane i rrethuar prej tyre, për t’iu shmangur luftës vëllavrasëse,Gani Kryeziu u detyrua të pranojë edhe formalisht hyrjen në Front. Me 20.10.1944, Dali Ndreu e informonte Enver Hoxhën se: ”… Gani Kryeziu pranoj të hyjë në Front. Të gjithë vullnetarët e tij i ka për brigadë…” Këto konstatime, me pak fjalë, ishin disa nga çështjet që menduam t’i trajtojmë. Ndërsa, disa nga dokumentet që u cituan, për veprimtarinë e Gani Kryeziut, shpresojmë se do të shërbejnë, sado pak për ndriçimin e veprimtarisë së këtij protagonist të luftës.