in

Gani Kryeziu e mbështeste luftën e popullit shqiptar për liri e pavarësi

Gani Kryeziu (Nga arkivi personal i avokatit Zanfir Kryeziu)

         

Shkruan avokati Zanfir Kryeziu

Intelektuali dhe historiani i mirënjohur shqiptarë Viktor Prendi në artikullin e tij me Titull “Gani Bej Kryeziu Gjatë Luftës së Dytë Botërore Sipas Dokumenteve Arkivore”

të botuar në Vjetarin 2001 shkruan: “Dokumentet arkivore kanë një rëndësi të pazëvendësueshme për pasqyrimin objektiv të veprimtarisë politike e ushtarake të nacionalistëve, në dobi të çështjes kombëtare gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Roli i nacionalistëve në këtë periudhë të vështirë për fatet e kombit tonë është i pamohueshëm. Ata me largëpamësi e përfytyronin shtetin demokratik të tipit të demokracive perëndimore.

Ndër figurat më të spikatura të nacionalistëve me orientim politik të qartë e më të drejtë ishte Gani Bej Kryeziu. Ai me veprimtarinë e vet, ishte bërë pengesë për realizimin e planeve pushtuese të vendit tonë nga Italia fashiste.Duke parë mbështetjen që gëzonte në rrethet nacionaliste dhe ndikimin e madh që kishte në popullin e Malësisë së Gjakovës, autoritetet italiane në bashkëpunim me autoritetet gjermane,dhe së bashku me kuislingët jugosllavë e shqiptarë, e transferuan të arrestuarin Gani Kryeziun, nga burgu i Beogradit dhe e internuan në Itali, në ishullin Ventotene, së bashku me vëllezërit e tij.

Kryesia e Këshillit të Ministrave njoftonte Ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë se:”.. në bazë të bisedës së bamun nëpërmjet Ministrit Italian në Beligrad dhe Ministrit Fuqiplotë Gjerman, autoritetet gjermane u kanë dorzue karabinierëve Mbretëror të dërguar posaçërisht, t’arratisurin Gani Bej Kryeziu bashkë me të dy vëllezërit Hasan e Said. Të përmendurit janë dërguar në Itali”.. Kjo tregon se Gani Bej Kryeziu ishte element i rrezikshëm, dhe përbënte një pengesë serioze për realizimin e qëllimeve pushtuese të Italisë fashiste në Shqipëri. ndikimi i tij në popullsinë e Malësisë së Gjakovës dhe në rrethet nacionaliste, pasqyrohet qartë edhe në letrën që i dërgon Zef Mala udhëheqjes së lartë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe Kristo Themelkos me dt.14.02.1944,në të cilën thuhej:”.. këto ditë mora vesh se kanë ardh në Kosovë vëllezërit Kryeziu, dhe paskan grumbullue forca në Qarkun e Kosovës ku kanë një influencë të madhe..” Edhe në letrën që Fadil Hoxha i dërgonte Liri Gegës, me dt.29.09.1944 thekson:” Kryezinjtë rreth vedit kishin mbledhur një grumbull të madh njerëzish, në të cilët kishin influencë. Ky grumbull ka ardhë gjithnjë duke u rritë…”

Opcionet realiste të Gani Kryeziut për drejtimin dhe organizimin e Luftës Nacional Çlirimtare, dalin qartë në bashkëpunim që kishte ai me nacionalistët, me misionet angleze dhe me komunistët. Fitorja arrihet, thoshte Ganiu, vetëm duke bashkëpunuar me të gjitha forcat në luftë kundër pushtuesve të përbashkët. Gani Kryeziu nuk kishte besim në frontin Antifashist Nacional Çlirimtar Jugosllav. Historia shumë vjeçare e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, përvoja e pjekuria politike e tij, kishin bërë që ai të arrinte në këtë konkluzion të saktë. Këtë fakt e vërtetoi koha më vonë. Fadil Hoxha në atë kohë shkruante “..Kryezinjtë nuk kanë besim, se në Frontin Nacional Çlirimtar jugosllav do të flitet për lirinë e Kosovës, prandaj Kosovën ata e quajnë si pjesë të pandame të Shqipërisë..”

Qëndrimi i Gani Kryeziut për këtë problem ishte rezultat i përvojës shumëvjeçare dhe pjekurisë politike. Ai me këtë rast shprehte edhe mendimin e mbarë popullsisë së Malësisë së Gjakovës dhe të Kosovës në përgjithësi. Këtë qëndrim e gjejmë të pasqyruar qartë në letrën e dt.12.06.1944, e në të cilën përfaqësuesi i Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste Shqiptare thoshte se “. Populli në përgjithësi nuk ka besim në Lëvizjen Nacional Çlirimtare Jugosllave..”

Gani Kryeziu ishte përcaktuar vendosmërisht kundër boshtit fashist dhe përkrah aleatëve perëndimor. Ai bashkëpunoi ngushtë me misionet aleate, kryesisht ato angleze. Ky fakt bie në sy shumë shpejtë pas lirimit nga internimi dhe ardhjes së tij në Malësinë e Gjakovës.

Përfaqësuesi i Komitetit Krahinor për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit me qendër në Shkodër,e informonte Komitetin Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare me datë 12.06. 1944 se takimi i Gani Kryeziut me misionet angleze nuk ishte një takim sporadik,por një takim i studiuar e i planifikuar me shumë kujdes..” ndër këto ditët e fundit ka ardhë një kapiten anglez për të rregullue një pikëpjekje të Gani Begut me të birin e ministrit të kolonive angleze, të cilin e ka njoftue qysh më përpara në Beograd. Ganiu ka thirrë parinë e Krasniqes dhe ka bisedue me ta për çështjen e këtij takimi. Përfundimet nuk dihen..”

Në korrespondencën, informacionet dhe njoftimet e dërguara nga baza, udhëheqjes së Partisë Komuniste, pasqyrohet shqetësimi që ekzistonte për afrimin e bashkëpunimin e Gani Kryeziut me misionet angleze. Ata ishin të alarmuar nga ky bashkëpunim dhe nga pamundësia për të depërtuar në të fsheftat e tij. Ky shqetësim shprehet shumë qartë në letrën që Fadil Hoxha i dërgon Liri Gegës, ku ndër të tjera theksohet:…”një gjë është karakteristike, që asgjë nuk vendosin me ne pa u këshillue me anglezët. Ndërsa, në radiogramin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NÇL Shqiptare, dërguar gjeneralit Dali Ndreut thuhet:.. Englezët po bëhen kumbarë për bashkimin e reaksionit të Kosovës me tradhëtarët tonë nën flamurin e ndonjë Gani Kryeziut.” Shqetësimi për këtë bashkëpunim erdhi duke u rritur. Kështu Shtabi i Korparmatës së Parë informonte shtabin e Përgjithsh- ëm me dt.12.10.1944 se:.Misionet angleze që ndodhen pranë Bazit, Muharrem Bajrakta- rit dhe Gani Kryeziut, po zhvillojnë një aktivitet të madh..”

Nga ana tjetër qëndrimi i Gani Kryeziut ndaj LNÇSH,ka qenë objektiv,konseguent dhe parimor.Ai e mbështeti luftën e popullit shqiptar për liri e pavarësi dhe për ndërtimin e një shteti demokratik. Ganiu, gjithashtu mori pjesë edhe me armë në dorë,në luftë kundër pushtuesve të huaj. Për realizimin me sukses të kësaj detyre të vështirë, shfrytëzoi me shumë efektivitet mbështetjen që gëzonte në popull. Për këtë flasin dokumentet e kohës. Zef Mala, në letrën e tij të datës 14.02.1944 theksonte:. .”duke aderuar në lëvizjen NÇL paskan grumbulluar forca në Qarkun e Kosovës, ku kanë një influencë të madhe, dhe qenka në në luftë me gjermanët…”

Këtë argument e mbështet edhe një dokument tjetër,që vjen nga Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë, forca këto që ishin drejtpërsëdrejti të interesuara e të shqetësuara nga aktivitetet luftarake që po zhvillonte Gani Kryeziu në terren. Zëvendës Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë njoftonte i alarmuar për përgatitjet ushtarake që po bënte Gani Kryeziu. Xhandarmëria ishte e alarmuar se nuk kishte mundësi ta pengonte një lëvizje që po rritej dita-ditës. Komanda e Rrethit të Tropojës, me datë 05.05.1944 raportonte se:..”Gani Kryeziu ndodhet në rajonin e këtij rrethi, ku ka filluar të rekrutoj persona me qëllim që të prishë qetësinë në atë rajon”- Gjithashtu ajo ndjente vështirësi pasi nuk kishte forca për rrethimin e tij.

Në një dokument tjetër të xhandarmërisë, tre muaj më vonë del qartë fuqia ushtarakeqë zotëronte Gani Kryeziu dhe qëllimet që ai mendonte t’i realizonte me këto forca.

Lini një Përgjigje

Shërbimet e dëmshme të Viktor Orban

“Golgotha Shqiptare”-Serbët vranë 500 000 shqiptarë. Si u gjet libri i holokaustit