Uran Butka,
Dërvish Kryeziu pas luftës u akuzua nga shefi i OZN-es në Pejë, Alush Gashi për shërbime informative të kryera kundër pushtetit sllavo-komunist.
Atentati në qendër të Pejës, në rrojtore më dt.05.06.1951 në organizim të UDB-së jugosllave, përmes bashkëpunëtorëve Apostoll Tanefit një ish shtetasi shqiptar nga zona e maqedonasve vllehë të shqipërisë, i ardhur si arsimtar në Jugosllavi në vitin 1941, ish drejtor i Gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë dhe njëherit kryetar i Qeverisë kukull dhe Kolë Perperaj, ish inspektor i lartë i Sigurimit shtetëror të Shqipërisë, po ashtu emigrant në Jugosllavi, së bashku me ca shqipfolës tjerë nga trojet shqiptare, nga të dy anët e kufirit, të cilët atëbotë, i rekrutoi UDB-ja jugosllave me qëllim diversioni. Emigrantet nga Shqipëria në organizim të UDB-ës jugosllave në maj të vitit 1951 në Prizren kishin themeluar Bashkimin e Emigrantëve Politik Shqiptar në RFPJ me qëllim të përmbysjes së regjimit stalinist të Enver Hoxhës dhe përfshirjes së Shqipërisë në kuadër të Federatës Jugosllave.
Në atentat u vra atdhetari dhe luftëtari i paepur i çështjes kombëtare Dervish Kryeziu, njëri nga pjesëtarët e fundit të “Lëvizjes Kryeziu” i cili tërë jetën me armë në dorë ia kushtoi luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Qysh si nxënës i Gjimnazit “Sami Frashëri”të Prishtinës gjatë vitit 1943, Dervishi ishte i përjashtuar nga gjimnazi për veprimtarinë e tij antifashiste për çka, pushtuesit gjermanë, që në moshën 21 vjeçare, e kishin vu para tytave të skuadrit për pushkatim, mirëpo falë fatit të jetës, përkundër gjuajtjes mbi të, kishte mbijetuar pushkatimin.
Për ironi të jetës, përkundër ndjekjes së vazhdueshme të tij nga okupatori nazifashist, ai pas luftës u akuzua nga shefi i OZN-es në Pejë, Alush Gashi për gjoja shërbime informative të kryera kundër pushtetit sllavo-komunist.
Në gjykimin, i cili u organizua në Prizren, më dt.19.12.1945 nga Kolegji i Gjykatës Popullore të Rrethit, të cilin e kryesonte gjyqtari Simon Kazhiq e sipas aktakuzës së prokurorit publik, Goroljub Popoviq, për veprën penale nga neni 3 dhe 9 i Ligjit mbi veprat penale kundër popullit dhe shtetit nr. 61/45, falë dëshmisë së shokëve të klasës, kompozitorit të mirënjohur Rexho Mulliqi,Franë Berisha dhe Gjokë Kolcaj, të cilët në dëshminë e tyre dhënë para kolegjit të gjykatës demantuan në tërësi pohimet e shefit të OZN-ës të Pejës, tani dëshmitarit Alush Gashi, duke dëshmuar faktin se shokët e klasës,të akuzuarin Dervish Kryeziun, nuk e njohin si informator,por përkundrazi si një përkrahës të flakët të luftës antifashiste, për ç’arsye ka qenë i ndjekur nga grupi i nxënsëve reaksionarë të gjimnazit dhe i pushtuesve gjermanë. Në vazhdim, dëshmitarët me prova të shumta, e bindën trupin gjykues se Dervish Kryeziu, ishte edhe pjesëmarrës aktiv i luftës antifashiste në radhët e “Lëvizjes Kryeziu” të udhëhequr nga xhaxhai i tij Gani beg Kryeziu.
Duke marrë për bazë dëshmit e dëshmitarve, si dhe duke zbatuar dekretin e shpallur nga pushteti sllavo komunist të dt.05.08.1945 për amnesti të përgjithëshme, Dervishi u lirua nga akuza. Megjithatë, pushteti me lakejët shqipfolës pas ”çlirimit” u përkujdesën, për shpërnguljen e kësaj familje nga Gjakova me shpronësim të pasurisë së tij duke ia rrënuar kullën e djegur nga pushtuesit gjermanë në Mehallën e Hadumit me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të pranisë shekullore të kësaj familje në këto troje, me gurët e mermerit të kullës së rrënuar ndërtuan Qendren Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.
vijon